Erdogan: Në Turqi janë sjellë nga jashtë 80 pjesëtarë të FETO-s, do t’i ndjekim edhe të tjerët

Presidenti i Turqisë, Tayip Erdogan, në një fjalim në mbledhjen e zakonshme të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Stamboll, ka folur përsëri për ekstradimin për në Turqi të ‘gylenistëve’.

Bota

15/04/2018 18:45

Erdogan tha se deri më sot, në Turqi janë sjellë 80 pjesëtarë të FETO-s, raporton AA.

“Do t’i ndjekim edhe tjerët”, tha Erdogan, duke shprehur bindjen për sjelljen në Turqi edhe të liderit të FETO-s, Fetullah Gylen. “Ti, që aktualisht ndodhesh në Pennsylvania, do të vish gjithashtu”, shtoi më tej presidenti turk.

Javën e kaluar, zyrtarët e inteligjencës turke, sollën në Turqi tre pjesëtarë të lartë të FETO-s, të cilët ishin kapur gjatë një operacioni anti-terrorist në Gabon të Afrikës, ndërsa gjatë muajit mars, nga Kosova në Turqi u dërguan edhe gjashtë pjesëtarë të lartë të FETO-s, të cilat u kapën pas një operacioni të Agjencisë Kombëtare Turke të Inteligjencës (MIT) në bashkëpunim me inteligjencën kosovare.

Organizata FETO në vitin 1970 filloi t’i infiltrojë të besuarit e saj në institucionet e sigurisë në Turqi, pas çka në vitet e 80-ta në mënyrë të konsiderueshme forcoi piramidat e saj paralele në këto institucione.

Më 15 korrik të vitit 2016, organizata FETO sipas Erdoganit kreu tentim të dështuar për grusht shteti, me qëllim të përmbysjes së rendit kushtetues dhe pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi.

Të paktën 249 persona humbën jetën gjatë tentativës për grusht shteti, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën.