Elita 5 mbështet protestën në Tetovë

Grupi Elita 5 i është bashkuar protestës së qytetarëve të Tetovës për t’i thënë stop ndotjes së ajrit.

ShowBiz

07/02/2015 13:07

Protesta ka moton “Mbrohu ose helmohu, zgjidhje tjetër s’ka” dhe organizohet nga Lëvizja EkoGuerilla dhe po përkrahet edhe nga vokalisti i grupit legjendar “Elita 5”, Arif Ziberi

“Asgjë nuk është më e shtrenjtë se jeta e njeriut. Bashkohu në luftën për ajër”, thotë Ziberi, raporton Lajmpress, transmeton Telegrafi. Ai ka bërë apel për një pjesëmarrje më masive në protestat e sotme që kanë filluar në ora 13.

Ndërkohë kësaj i është bashkuar edhe futbollisti i Mariborit, Agim Ibraimi. “Duhet t’i jepet fund helmimit të ajrit në Tetovë. Nuk durohet kjo gjendje e popullit tonë”, ka porositur futbollisti.

Tashmë disa muaj tetovarët janë duke protestuar vazhdimisht kundër ndotjes që i bëhet qytetit të tyre nga kombiani “Jugohrom”.

Kjo fabrikë punon jashtë çdo standardi, ndërsa Qeveria e Maqedonisë në vend që të marrë masa për mbylljen e tij, ia zgjati kontratën edhe dy vjet.

Si pasojë e saj, Tetova sot është një ndër pesë qytetet më të ndotura në botë, në bazë të rangimit të institutit ndërkombëtar Numbeo. Niveli i ndotjes shpesh arrin maksimalen që mund të matet – 1000 mikro gram në metër kub të grimcave kancerogjene PM10. lajmi.net