Edhe Prishtina është spiunuar

Afera spiunuese e përmasave globale ka marrë një kthesë të re. Në një hartë të botuar nga Der Spiegel, paraqiten qytetet ku kanë ekzistuar baza spiunuese të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Amerikës. Aty është edhe Prishtina.

Lajme

30/10/2013 07:04

Një hartë e publikuar nga revista gjermane “Der Spiegel” tregon përmasat e vërteta, të frikshme, që kishte marrë përgjimi i personaliteteve më të fuqishme të botës nga ana e organeve amerikane të inteligjencës.

Kjo hartë, pas publikimit, u zëvendësua më pas nga një hartë tjetër, të censuruar, por “Der Spiegel” arriti të pasqyrojë edhe ndryshimin mes tyre.

Në hartë pasqyrohet një rrjet i gjerë prej 80 selish të agjencisë amerikane “Special Collection Service” (SCS), aktiviteti i së cilës ishte shumë i fshehtë. Ajo ishte krijuar nga CIA dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA për të siguruar përgjime me anë të teknologjisë më moderne në të katër anët e botës.

Në hartën e “Der Spiegel” përfshihen një numër vendesh, ku spikat Beogradi, si një nga pikat më të nxehta të botës, që pasohet nga Prishtina, si vend ku ekziston një staf i agjencisë në terren.

Ndërkohë, Tirana konsiderohet si një qendër “në ngrirje”, pra në pritje të aktivitetit.

Në gjirin e agjencisë super-sekrete janë ekspertë të dekodimit të transmetimeve elektronike, sidomos atyre që janë të mbrojtura nga ndërhyrjet e jashtme.

Deri para se ta zbulonte ish-kontraktori i arratisur i CIA-s Eduard Snowden, aktiviteti i saj gati nuk njihej, pasi agjencia në fjalë përdor metoda krejtësisht ilegale për të siguruar materialin e kërkuar. Veçanërisht bëri bujë fakti që nën përgjim ishin deri celulari i Kancelares gjermane Angela Merkel, ndonëse Uashingtoni zyrtar refuzon ta pranojë një gjë të tillë.

Pas zbulimit të aktivitetit në fjalë dhe pas reagimeve individuale të autoriteteve të shteteve europiane të përgjuar nga SCS, nuk vonoi reagimi i Bashkimit Europian. Gjatë mbledhjes në Këshillit Europian, e cila kishte në agjendë dixhitalizimin, duke diskutuar edhe për skandalin e përgjimeve, 28-të liderët e vendeve europiane kanë pranuar që Franca dhe Gjermania, në emër të Bashkimit Europian dhe të shteteve të tjera, duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëpërmjet këtij dialogu, duhet të vendosen disa rregulla të përbashkëta, për aktivitetin e inteligjencës amerikane, brenda fundit të këtij viti.

“Franca dhe Gjermania do të ndërmarrin iniciativën ta diskutojnë deri në fund me SHBA problemin e shërbimeve sekrete dhe vendet e tjera të BE-së janë gjithashtu të ftuar t’i bashkohen asaj” deklaroi presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, që pranoi shqetësimet në rritje mbi zbulimet e fundit.

 

Harta e pacensuruar e prezencës së NSA’së nëpër qytetet botërore.