Ebola, e tmerrshme edhe në Liberi

Presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pasi që vendi i saj po përballet me virusin vdekjeprurës të Ebolës. Ajo ka thënë se qeveria duhet të veprojë shpejtë, ndërsa qytetarët t’iu drejtohen spitaleve me kohë, e jo të vuajnë e të vdesin nga injoranca dhe pengesat që iu shkaktojnë doket dhe zakonet fetare e kulturore. 

Bota

07/08/2014 10:56

Gjatë fjalimit të saj në televizionin kombëtarë, ajo tha se të drejtat civile duhet të pezullohen.

Shpërthimi i virusit të Ebolës ka goditur edhe Guinean, Sierra Leonen dhe Nigerinë, ku deri më tani ka marrë jetën e më shumë se 930 njerëzve.

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OSHB) janë mbledhur në Gjenevë të Zvicrës, për të diskutuar se si t’i përgjigjen përhapjes kaq të shpejtë të këtij virusi.

Takimet në Gjenevë do të zgjasin dy ditë dhe pritet që ekspertët të vendosin nëse do të shpallin gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore në gjithë botën.

Ebola është virus që shkakton etheve hemorragjike virale dhe është sëmundja vdekjeprurëse më e keqja që ka njohur njerëzimi, ku ka një përqindje të lartë të fatalitetit në mes të 55% deri 90%.

Virusi shkaktohet sidomos nga bakteriet e kafshëve të ngordhura dhe shpërndahet tek të prekurit prej tij përmes kontaktit të lëngjeve trupore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se nga ky virus kanë humbur jetën 932 persona në Afrikën Perëndimore dhe numri më i lartë i fataliteteve deri më tani është në shtetin Sierra Leones dhe Liberisë.

Presidentja e Liberisë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për 90 ditë, duke thënë se qeverisë dhe shtetasve të Liberisë u kërkohet zbatimi i masave të jashtëzakonshme për mbijetesën e shteti dhe popullit liberian.

Ajo tha se duhet vepruar pasi injoranca dhe varfëria, si dhe pengesat nga praktikat e ngulitura fetare dhe kulturore, po vazhdojnë të përkeqësojnë edhe më shumë përhapjen e sëmundjes.

Vëzhguesit thonë se kriza e Ebolës në Liberi është përkeqësuar edhe më shumë pasi që personat e infektuar me këtë sëmundje nuk janë dërguar në spitale, ku më pas do të izoloheshin, por familjarët e tyre i kanë mbajtur në shtëpi, gjë që ka bërë që edhe persona të tjerë të infektohen.

Edhe presidenti Barack Obama është shprehur i shqetësuar për përhapjen e kësaj sëmundje duke thënë se sëmundja mund të kontrollohet dhe shërimi mund të ndodhë nëse sipas tij, aplikohen procedurat e duhura.

“Vendet e prekura janë të parat ato që duhet të pranojnë që sistemet e tyre të shëndetit publik janë mposhtur. Ata nuk ishin në gjendje që të identifikojnë rastet e para dhe të izoloheshin me shpejtësinë e duhur. Si pasojë e kësaj, sëmundja u përhap shumë shpejt dhe ka qenë tipike sikurse përhapjet e mëparshme të Ebolës”, ka thënë Obama, duke bërë thirrrje në marrjen e të gjitha masave për shpëtimin e jetëve.