E shpëtoi nga ariu kënga e Justin Bieber

Një peshkatar nga Rusia është sulmuar nga një ari i madh i murrmë, por nga vdekja e sigurt atë e ka shpëtuar melodia e Justin Bieberit “Baby”, që e kishte të instaluar në celularin e tij dhe që u aktivizua nga një thirrje. 

Bota

06/08/2014 00:02

Posa dëgjoi tingujt e parë të këngës së Bieber-it, ariu filloi të ikte si pa kokë, i tha gazetës NY Post, peshkatari rus.

“Nuk mund ta besoja se çfarë fati kam pasur që pikërisht në atë moment cingëroi celulari dhe kjo e përzuri ariun”, ka thënë Igor Vorozhbitsyn. “E di që melodia e tillë nuk është e dashur për të gjithë, por atë e kishte instaluar mbesa ime për thirrjet në celularin tim”, ka shtuar ai.

Ekspertët thonë se me siguri zëi i lartë i këngës e ka frikësuar ariun dhe jo kualiteti i këngës.

“Ndonjëherë ngjarja shokuese mund ta ndalë ariun e tërbuar, kurse kënga nga celulari me gjasë për të ka qenë një ton i papritur dhe kjo e ka bërë të ikën”, sqaruan ekspertët.