Duka: Nëse ndodh kjo, De Biasi largohet nga Kombëtarja

Presidenti i FSHF-­së, Armand Duka ka konfirmuar se Gianni de Biasi do të largohet pas "Euro 2016" nëse merr një ofertë të volitshme.

Sport

14/06/2016 13:02

Presidenti i FSHF-­së, Armand Duka, ka treguar në një intervistë për televizionin italian “Sky” se si është situata aktuale me trajnerin Gianni de Biasi dhe cilat janë planet pas përfundimit të Europianit.

Duka ka bërë të qartë se ka një akord mes palëve për sa i përket kohëzgjatjes së aktivitetit, ndërsa çdo opsion që dilte do të trajtohej pas aventurës franceze.

“Para Europianit, kemi rënë dakord që gjatë turneut nuk duhej të mendonim apo të flisnim për të ardhmen. Po luhet një Europian shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Trajnerit i kam thënë që në fillim se nëse i arrin një ofertë tërheqëse për karrierën e tij, ne do ta linim të lirë”, tha Duka, përcjell “Panorama Sport”.

Duke folur për ndeshjen e nesërme me Francën, numri 1 i futbollit shqiptar sqaroi se rezultati përfundimtar nuk do të ndikonte gjithsesi në opinionin e përgjithshëm për pjesëmarrjen në këtë aktivitet.

“Për ne, ndeshja me Francën do të jetë e rëndësishme. Kemi humbur në debutim ndaj Zvicrës dhe tani do të japim gjithçka kundër Francës. Ky është një kundërshtar shumë i fortë, por shpresojmë të paraqitemi mirë. Shpresoj që skuadra jonë ta ketë kuptuar që nuk kemi çfarë të humbasim. Nëse do të arrijmë një rezultat pozitiv është mirë, por nëse nuk kalojmë, do të jemi të lumtur gjithsesi, pasi kemi marrë pjesë në këtë kompeticion”.

Në fund, Duka nuk ka dyshime kur i përgjigjet pyetjes nëse kjo është Shqipëria më e fortë e të gjitha kohëve. “Kjo është skuadra më e fortë, pasi asnjëherë më parë nuk kemi arritur një rezultat të tillë”

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.