Duhet kohë për çlirimin e Prishtinës

Profesori i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Xhelal Llonçari, thotë se çdo rrënim nuk është i mirë, por ndërtuesit duhet të mësohen ta respektojnë ligjin. Sipas tij, duhet kohë që Prishtina të pastrohet nga të gjitha ndërtimet pa leje.

Lajme

17/01/2014 19:00

Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës ka nisur të premten një aksion të përmendur edhe më herët për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

Ky ishte aksioni i parë i rrënimit nga Komuna e Prishtinës qëkur Shpend Ahmeti mori drejtimin e Komunës, tri javë më parë.

Profesori i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Xhelal Llonçari, thotë se çdo rrënim nuk është i mirë, por në fushën e ndërtimit të shtetit “duhet të mësohemi ta respektojmë ligjin”.

Llonçari, për lajmi.net, thotë se duhet kohë për t’u pastruar qyteti nga ndërtimet pa leje.

“E para, çdo nismë për mua duhet të jetë në suaza të veprimeve ligjore. Nëse ka ligj, nëse ka bazë ligjore, çdo gjë është në rregull. Inspektorati i di punët e veta”.

Foto: Petrit Rrahmani, Lajmi.net

 

“Çdo rrënim nuk është i mirë, sepse është rrënim. Ajo është pasuri e cila i takon shoqërisë. Mirëpo, në fushën e ndërtimit të shtetit duhet të mësohemi të respektojmë ligjin. Ato janë modalitete të shumta si zgjidhen rastet, para rrënimit”.

“Puna e rrënimeve në Prishtinë kërkon kohë, asgjë s’bëhet shpejt, si me shkop magjik. Me e prish është një herë, e me kthy në gjendjen e mëparshme duhet katërfish më shumë kohë. Domethënë, nëse ke prishur 10 vjet, 40 vjet është për të ndërtuar”, thotë Profesor Llonçari.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se objektet e përfunduara para 25 gushtit do t’u nënshtrohen procesit të legalizimit, ndërsa ato pas kësaj date i nënshtrohen ligjit të ndërtimit, që si të tilla pastaj i trajton Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Inspeksionit.

Por, kjo nuk do të thotë se të gjitha do të legalizohen.

“Viktimë” e aksionit të parë të Komunës së Prishtinës ka qenë të premten rrënimi i një pjese të objektit të Kompanisë “ELKOS”, e cila u pohua ta ketë tejkaluar lejen e marrë nga Komuna.