Duda Balje: Jam me shpirt e me zemër për themelimin e Ushtrisë se Kosovës

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Duda Balje, është sqaruar rreth një deklarate të cilën e kishte bërë gjatë vitit 2013, kundër themelimit të ushtrisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë Balje sot ka një qëndrim krejtësisht tjetër për këtë çështje

Lajme

18/09/2018 17:52

Ajo thotë se është pro dhe ka qenë gjithmonë pro themelimit të ushtrisë së Kosovës.

“Jam për ushtri kam qenë edhe para shumë kohe kur është iniciuar themelimi i ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar Balje në sqarimin e saj në facebook.

Ajo ka thënë se tanimë pas procedimit të projektligjit për ushtrinë nga Qeveria, do të angazhohet në këtë drejtim për themelimin e një ushtrie me standarde të larta dhe në koordinim me shtetet mbështetëse të Kosovës.

“Ditëve në vijim pasi që është proceduar nga qeveria projektligji për Ushtrinë e Kosovës do të jem pjesë e angazhimeve që Kosova të themelojë ushtrinë e vet me standarde dhe koordinim me miqtë e vet te përhershëm”, ka shtuar Balje.

Balje ka thënë se do të angazhohet me shpirt e zemër për themelimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës.

“Ushtria a ardhshme e Kosovës do te kontribuoje në paqe dhe stabilitet. Pjesëtaret e FSK-së janë krenaria jonë, janë profesionistë dhe të avancuar në çdo fushë të misionit të vet. Së shpejti do të shihni dhe dëgjoni me vepër e me deklarimet e mia që unë kam me shpirt e me zemër për themelimin e ushtrisë se Kosovës” ka përfunduar Balje.