Duam të bëhemi më të mirët në botë

Zlatan Ibrahimovic insiston se dëshiron ta ndihmojë Paris Saint Germainin të bëhet ekipi më i mirë në botë. Pas dominimit në Francë në dy sezonet e fundit, sulmuesi suedez thotë se është koha e duhur për ta marrë në dorë futbollin ndërkombëtar.

Sport

09/05/2014 13:42

Zlatan Ibrahimovic i ka idetë e qarta. Pasi vendosi ta mbyll karrierën në Paris Saint Germain, sulmuesi suedez synon ta ndihmojë gjigantin francez të bëhet ekipi më i mirë në botë.

Pas dominimit në dy vjetët e fundit në futbollin francez, futbollisti me prejardhje boshnjake insiston se ka ardhur koha kur ekipi nga kryeqyteti francez ta dominojë botën.

“Mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë, siç kemi bërë gjithmonë. Ky sezon ishte më i mirë se ai i kaluari. Në dy vjet i kemi ngritur katër trofe dhe ky ishte sezoni im më i mirë”, u shpreh fillimisht Ibra, në konferencë për shtyp, të organizuar nga Nike.

“Jemi krenarë, kam vetëm fjalë pozitive për të thënë. Duam ta bëjmë PSG-në klubin më të mirë në botë”, përfundoi ish futbollisti i Malmos, Ajaxit, Juventusit, Interit, Barcelonës dhe Milanit.