Dreka e “Darkës së Lamës”

Presidentja Atifete Jahjaga e quan “Darkën e Lamës” ditë kur njerëzit duhet të shtrijnë dorën e ndihmës për ata që kanë nevojë.

Lajme

09/11/2013 14:50

Presidentja e Republikës së Kosovës,Atifete Jahjaga ka organizuar sot festën tradicionale “Darka e Lamës”, në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Edhe pse e mban emrin “Darka e Lamës” ajo u organizua  në mesditë, por kësaj radhe në shesh të hapur për t’u ofruar mundësinë të gjithë kalimtarëve ta shijojnë pak bereqet vendor.

Pjesë e kësaj feste tradicionale ishin personalitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Para të pranishmëve Presidentja Jahjaga tha se kjo është një festë e lashtë që i bashkon të gjithë njerëzit e vendit me njëri- tjetrin.

Jahjaga u shpreh se sot është një ditë kur duhet “të shtrijmë dorën e ndihmës për njerëzit që kanë nevojë”.

“Jemi mbledhur sot së bashku të gjithë ne qytetarët e Republikës së Kosovës me miqtë tanë në këtë festë në përfundim të kohërave për t`ju gëzuar bereqetit që na ka falur zoti në këtë tokë pjellore të vendit tonë”.

“Dita e Falënderimeve është festa jonë tradicionale e moçme që prej kohës së Dardanëve ilirë që ka bashkuar të gjithë njerëzit e Kosovës me njëri tjetrin dhe me të ardhmen e tyre”.

“Kjo është një ditë që na mbledh të gjithëve përreth sofrës tonë të begatë dhe kur bëhemi bashkë m,e të dashurit tanë pas punëve të kryera të stinës”.

“Gjithashtu kjo është një ditë kur duhet të shtrijmë dorën e ndihmës si njerëzve tanë dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ne”.

Ndër të tjera presidentja Jahjaga tha që kjo ditë të jetë një “ditë e forcimit të lidhjeve në familje si burim i forcës tonë si njerëz”.

“Le t`i lutemi Zotit për më shumë begati që ta ruajë tokën e Kosovës. Zoti ju bekoftë juve, Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës, Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”.

“Qytetarë të devotshëm të këtij vendi që duan ta gëzojnë të ardhmen e tyre le të punojnë sot me më shumë besim në vetvete dhe me dashurinë për vendin tonë të bashkuar dhe një”.

“Në këtë ditë le të jemi falënderues për sigurinë dhe përparimin e vendit tonë të jemi falënderues për tokën tonë të begatshme dhe për bereqetin që na sjellë ajo dhe të jemi falënderues për liritë tonë që e kemi sakrifikuar aq shumë dhe për shëndetin e të gjithë qytetarëve tanë”.

“Darka e lamës” është ceremoni vjetore e nisur që nga koha kur vendi drejtohej nga Presidenti tashmë i ndjerë Ibrahim Rugova. Tradita e tij u vazhdua më vonë edhe nga Presidenti Fatmir Sejdiu.