Drejtimi: Dështimi i ri

Kredibiliteti i Kosovës, i shtetit të Kosovës, si ai para Botës, ashtu edhe ky tjetri, para vetë qytetarëve të vendit, ka pësuar një rënie të madhe.

Lajme

04/12/2014 16:51

Se viti 2014, është viti i plotë i humbur për politikën dhe ekonominë e Kosovës, për këtë nuk ia vlen të harxhohen pesë minuta. Mbase, ky është një konkludim që i bashkon të gjithë liderët dhe partitë politike në vend. Natyrisht, fajtori për këtë përfundim kërkohet në skenën politike të vendit, tek partitë dhe politikanët e veçantë. Por duket që kësaj radhe, kush më pak e kush më shumë ka dhënë kontributin për humbjen e një viti të tërë.

Një vit i dështuar, i zhbërë, është shumë për një individ, tepër shumë për një familje, e për shtet, diçka e tillë, nuk mundet dot të imagjinohet. Pasojat gjithsesi do të jenë disavjeçare, në përpjekjet për të kompensuar çka u tret në muajt e 2014-tës.

Gjatë gjithë vitit, në Kuvend janë miratuar dy ligje, për ta sjellë kështu Kuvendin në shkallën më të ulët të efektivititetit, që prej se ka nisë demokracia parlamentare në vend, në fundvitin 2001. Fushata parazgjedhore pati nisë në fillim të janarit, problemet paszgjedhore pastaj paralizuan vendin për pesë muaj, tash po paralajmërohet që Qeveria e re mund të krijohet javën e ardhshme. Kjo e bën politikën kosovare të këtij viti më problematiken, që prej se Kosova u bë shtet i pavarur, në vitin 2008.

Në ekonomi dhe në financa, të gjitha këto ngjarje politike, patën një tagër të madh, pasojat e të cilit do t’i hetojmë në dy vitet e ardhshme. Nuk ka pasur para të shtetit në qarkullim sa duhet, në kuadër të investimeve kapitale i gjithë buxheti i vendit, i këtij viti, por edhe i viteve të ardhshme, i është nënshtruar fushatës parazgjedhore dhe premtimeve të cilat synonin fitoren me 8 qershor. Ardhmënia politike dhe ekonomike disavjeçare e Kosovës, kështu u përcaktua me 8 qershor, brenda një dite të vetme.

Shteti ka funksionuar disi edhe në këtë vit, më shumë me ‘infuzione’ të çdollojshme, gjithsesi, me improvizime të gjithfarshme. Kredibiliteti i Kosovës, i shtetit të Kosovës, si ai para Botës, ashtu edhe ky tjetri, para vetë qytetarëve të vendit, ka pësuar një rënie të madhe. Thjeshtë, vlera e këtij shteti, nuk është as sa një e treta, që ka qenë në dimrin, pranverën e vitit 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës. Ndërsa ky vit që po e lëmë pas, ka hisen më të madhe në këtë devalvim të shtetit të Kosovës.

Zaten, si asnjëherë më parë në 15 vitet e lirisë së Kosovës, qytetarët e këtij vendi po duan të largohen. Ata po mendojnë që nuk kanë më ku të rrinë. Dhe që duhet kërkuar shpëtimin kudo. Nuk frikësohen fare madje, të rrezikojnë që nëpër Serbi të shkojnë në Perëndim, që ka për stacionin e parë të vetin, Veriun  (Hungarinë).

Çka do të ndodhë me ne, me këtë shtet tash e tutje, në masë të madhe varet se si do të tejkalohet  (nëse, në fakt do të tejkalohet), kriza politike që rrëzoi për toke këtë vend gjatë vitit 2014. Do të shohim, të gjithë së bashku, pas 6-9 muajve, ku do të mbërrimë si politikë dhe si vend, dhe si do ta gjykojmë gjithë këtë pështjellim që bëri lëmsh politikën dhe ekonominë kosovare.  

Më së miri do të ishte, nëse e tëra do të bëhet burim i anekdotave të llojllojshme. Humori është shëndet në politikë, më shumë madje se në jetën e rëndomtë. Kjo do të thoshte që në fakt, e gjithë kjo teposhtëze politike, e cila realisht e ka fillin në vitin 2010, veçmas në zgjedhjet e mbrapshta parlamentare të dhjetorit të atij viti, ka shërbyer si një këndellje për politikën kosovare, dhe që kjo krizë, nuk ka qenë gjë tjetër, veçse një tranzicion tjetër, kësaj here, pozitiv, i dobishëm, i efektshëm, prej një periudhe të destabilizimit të vazhdueshëm politik, në fazën e stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë politike. Kjo do të thoshte që në Kosovë ka ndodhë një ndryshim i madh, për të mirë. Në këtë mënyrë, gjithsesi, vlera e shtetit të Kosovës do të rritej, si ndër ne këtu, ashtu edhe në Botë.

Por, shikuar së paku nga perspektiva e sotme, e javës së parë të dhjetorit, nuk del aspak realist a i mundshëm, ky supozim, që në fakt, është një dëshirë e shumë qytetarëve të Kosovës. Ata thjeshtë janë lodhë nga politika dhe politikanët. Shumë më afër realitetit të ri është parashikimi që flet për vazhdimësinë e tatëpjetës politike dhe ekonomike. Fatkeqësisht.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)