“Drama” e Demarkacionit

Pavarësisht premtimeve, seanca për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi nuk do të mbahet as sot, përderisa partnerët e koalicionit qeverisës përsërisin se kjo çështje do ta marrë epilogun këtë javë, gati tri vjet pas nënshkrimit në Vjenë të Austrisë.

Lajme

14/03/2018 08:12

E nisur tri vjet më parë drama mbi Demarkacionin pritet të përfundojë këtë javë. Kështu së paku po zotohen partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët thonë se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi do të marrë epilogun shumë shpejt.

Pavarësisht kësaj, zyrtarisht ende nuk është vendosur se kur do të mbahet vazhdimi i seancës për ratifikimin e Demarkacionit, e cila u ndërpre tri herë gjatë muajit të shkuar.

Derisa zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli është shprehur i bindur se këtë javë përmbyllet gjithçka, nga AAK-ja kanë thënë se ende nuk ka diçka konkrete sa i përket seancës, shkruan tutje “Zëri”.

Megjithatë, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë shprehur të bindur se çështja e Marrëveshjes së Vjenës do të përmbyllet shumë shpejt.

Në anën tjetër nga LDK-ja kanë vlerësuar se Demarkacioni duhet të përfundojë sa më parë dhe menjëherë pas kësaj të rrëzohet Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Se Qeveria duhet të rrëzohet ka konsideruar edhe partia tjetër opozitare, lëvizja Vetëvendosje. /zeri/