Dokumenti sekret: Gjermania lufton ndikimin rus në Ballkanin perëndimor

Një dokument i qeverisë gjermane tërheq vërejtjen në rritjen e ndikimit rus në rajon, veçmas në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. 

Bota

01/12/2014 23:53

Vlladimir Putin dhe Rusia po përpiqen të rikthehen në Ballkanin perëndimor, kurse në këtë tentim po tenton t’i pengojë Angela Merkel, është konstatimi i medieve kryesore botërore si Financial Times, Reuters, The Guardian apo Der Spiegel, të cilat kohëve të fundit kanë treguar interes të pazakonshëm për Ballkanin perëndimor.

Si shkruan “Jutarnji list”, për fat Kroacia përmendet vetëm përciptazi, kurse në rol kryesor është Serbia, për arsye të afërsisë së saj shpirtërore me Rusinë. Lajmi.net transmeton se në Perëndim ka gjithnjë e më shumë analistë të tillë të cilët lidhjet e Moskës me Beogradin i vlerësojnë si rrezik potencial për Ballkanin perëndimor.

Kësisoj, Financial Times vizitën e paradokohshme të presidentit gjerman Joachim Gauck në Slloveni e ndërlidh me strategjinë e Berlinit për të ndalur ndikimin gjithnjë e më të theksuar rus në rajon.

“Vizita e Gauck simbolizon interesin gjerman për Evropën juglindore. Duhet të ketë edhe më shumë vizita të tilla, ndërkohë që duhet të dërgojmë edhe ekspertë, ndonëse kjo ka kosto. Rusia po arrin në rajon dhe ne duhet të përgjigjemi ndaj kësaj”, thuhet në sqarimin e politikës së re gjermane siç e sheh Roderich Kiesewetter, anëtar I Këshillit për politikë të jashtme të Bundestagut.

Në Berlin thonë: “Rusia po zhvillon strategjinë për shtetet ballkanike. Ndonëse nuk ka ambicie ushtarake, është duke rrjedhur operacioni medial-financiar-korruptues”, konstaton Financial Times.

Informatën për vendimin sekret të kabinetit të Angela Merkel për pengimin e ndikimit rus në Ballkan e para e publikoi javorja me ndikim Der Spiegel.

Gazetarët e saj ishin takuar me zyrtarë anonimë në Berlin, të cilët kanë pranuar se kanë dëshmi të forta se Rusia po përpiqet sërish të fuqizojë pozitën e saj në Ballkan, ndërsa shtet e rajonit t’i bindë që të mos përpiqen të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në dokumentin sekret të emërtuar “Ndikimi rus në Ballkan” përshkruhen përpjekjet e Moskës për krijim të lidhjeve të qëndrueshme me Serbinë. Pos bashkëpunimit ushtarak dhe dërgimit të lëndëve energjetike, rusët gjithnjë e më shpesh shërbehen me retorikën pansllave dhe përkujtojnë për lidhjet e ndërsjella, duke theksuar se Moska e Beogradi e shikojnë njëjtë çështjen e Kosovës.

Pos kësaj, rusët duan ndikim edhe në Bosnjë, dhe kjo bëhet asisoj që mbështetet entiteti Republika Srpska.

“Qëllim i Putinit është të bindë shtetet ballkanike që të heqin dorë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian ose që edhe nëse bëhen pjesë e BE-së, atje të mbrojnë interesat ruse”, thuhet në dokumentin e qeverisë në Berlin, transmeton lajmi.net.