Dita Botërore e taksistëve, asnjë taksiste në Kosovë

Për plot dy vite ka ushtruar profesionin e taksistes. Rast i rrallë në Kosovë.

Lajme

22/03/2015 18:15

Ajo me veturën e saj golf 2, iu shërbente udhëtarëve Prishtinë-Podujevë dhe anasjelltas.

Por, ka pothuajse një vit që ajo e la punën si taksiste, për arsye që nuk i dinë as kolegët e saj.

E quanin Like, e kolegët e saj taksistë e përshkruajnë si një grua tepër të zonjën.

“E zonja ka qenë. E sjellshme, e sinqertë”, thotë taksisti E.Vuthaj.

Ai tregon se kolegia e tij taksiste ka punuar sikur të gjithë të tjerët aty, nuk thotë të ketë pas ndonjë problem ndonjëherë.

“Ka punuar në mesin tonë dy vjet.  Njësoj, këtë transport që e kemi kry na e ka kry edhe ajo njëjtë sikur na. Jemi munduar me u sjellë mirë sikur me një motër tonë. Ajo u sjellë ndoshta edhe më mirë me ne”, thotë ai.

Vuthaj thotë që në shumë raste ajo ka punuar me familjarë, që sipas tij, ka qenë më e lehtë edhe për të edhe për pasagjerët.

“Ne marrim njëri pas tjetrit, e zbatojmë rendin. Nuk ka pas telashe. Kur kemi pas mundësi i kemi dhënë edhe përparësi, të shkojë më herët”, thotë ai.

Aktualisht në Kosovë nuk ka ndonjë taksiste grua. Në disa kompani të taksive herë pas herë ka qenë e punësuar ndonjë njeri të gjinisë femërore, por çdo herë afat shkurtë.

Në kompaninë Golden Taxi, vitin e kaluar ka qenë e punësuar një grua.

Eprorët e saj thonë se puna e saj është ndërprerë për shkak të problemi që ka pasë ajo me gjetjen e lokacioneve për ku është drejtuar.

“Tek ne ka pas femër taksiste, qysh në fillim para dy vite e gjysmë kur kemi filluar me punën ne kemi pas hapë konkursin edhe për femra. Janë lajmëruar shtatë ose tetë që më kanë thirr ne telefon, kanë qenë të interesuara të punoj por nuk kanë ardhë, nuk e di për çfarë arsye. Vitin e kaluar, në shtator e kam marrën jë femër e cila ka qenë e interesuar me punu si taxi, ka punuar tre muaj dhe e kemi pasë problemin kryesor tek adresat që nuk i ka pas të qarta taman”, thotë Rexhep Demolli, menaxher në Golden Taxi.

Ai thotë se janë shumë të interesuar të punësojnë gra në kompaninë e tyre. Por sipas tij, interesimi është fare i ulët.

“Nuk aplikojnë femrat tek ne, meshkujt po. Femra nuk ka që aplikojnë”, thotë ai.

Demolli tregon se shumë gra kanë aftësi të larta në vozitje, shpesh edhe më shumë se meshkujt. Veçse, sipas tij, gratë kanë më shumë ngecje se meshkuj, lidhur me adresat.

“Kanë problem për shkak të rrugëve, nuk kanë emra dhe ajo iu shkakton probleme për adresa. Se ka femra që janë të shkatha për me vozitë, nuk e kanë problemin e vozitjes asnjëherë, mirëpo është puna tek adresat, kanë më prapa se meshkujt”, thotë ai.

Ai thotë se në shumicën e rasteve duhet të orientohen përmes marketeve të ndryshme.

“Ka shumë rrugë që janë qelë të reja, janë ende të pa urbanizuara, ka emra të rrugëve, zakonisht përcaktohemi me markete, me shpija, me do iniciale që vetëm taksistët mund t’i dijnë, edhe atë ata që ka shumë përvojë….për shkak se nuk kanë emra rrugët, e për numra nuk kemi çka flasim, rrallë diku që mund ta gjesh një shtëpi që e ka numrin, por edhe me ta thënë numrin, ti si taksist është problem me gjet, se krejt thirrin dhe përcaktohen me emra të marketave ose në bazë të shpijave, shpija me ngjyra”, thotë ai.

Demolli thotë se pa problem do të organizonin stafin në 50 për qind gra dhe 50 për qind meshkuj. Madje, thotë se do të ofronin edhe mundësinë që një grup grash të punojnë vetëm në orarin paradite.

Pse nuk ka gra taksiste në Kosovë, ai nuk lidhë këtu çështjen e sigurisë. Thotë se 24 orë veturat janë nën vëzhgim.

“Nuk besoj që kish me qenë problemi aty, për shkak se janë rrugica ose nuk kanë ndriçim, sepse 24 orë janë nën vëzhgim kerret me anë të GPS, do të thotë çdo metër vëzhgohet kerri, dijmë saktë ku është por as nuk kish me pas problem për shkaqe të sigurisë, edhe qytetarët janë vetëdijesuar nuk hipë kërkush në taxi me pas problem por hipë secili ta kryejë një shërbim”, thotë ai.

Në Kosovë, ende janë shumë profesione të cilat mendohen të jenë të ‘rezervuara’ vetëm për meshkujt. Një ndër ta mbetet edhe profesioni i taksistit.

Sociologia, Linda Gusia thotë se ende ekziston një paragjykim drejtë grave në këtë aspekt.

Megjithatë, sipas saj, shumë shpejtë në Kosovë do të dalë një numri madh i grave që do të ushtrojnë profesionin e taksistes.

“Tradicionalisht posti i taksistit është i burrave. Është një farë paragjykimi që gratë nuk janë shumë të kujdesshme në vozitje, edhe pse statistikat e tregojnë të kundërtën. Por, puna e taksistit është edhe punë me rrezik. Megjithatë, në çdo profesion që dominojnë burrat është vështirë me e thy tabunë. Duhet guxim për për ta sfiduar. Derisa të dalin disa gra që ta thyejnë këtë paragjykim. Por, mendoj që së shpejti do të ketë gra taksiste edhe në Kosovë”, thotë ajo, shkruan KosovaPress.

22 marsi njihet si Dita Botërore e Taksistëve.

Ky profesion mbetët sfidues për gratë në shumë vende të botës. Në Kosovë kjo ditë i gjen kompanitë e taksive pa ndonjë grua taksiste.