Diplomati amerikan qortoi qeverinë Gruevski

Kriza aktuale politike dhe mënyrat për tejkalimin e saj ishin temë e bisedimeve të sotme të zëvendës/ ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Hojt Ji me kryeminstrin maqedonas Nikolla Gruevski. Ai kërkoi që Qeveria të punojë bashkërisht me partnerët për tejkalimin e krizës dhe ta riafirmojë përkushtimin e vet në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s dhe vlerat në të cilat janë themeluar këto institucione, ndërsa LSDM opozitare të kthehet në Parlament dhe ta marrë rolin për të cilin është zgjedhur.

Lajme

16/04/2015 21:30

Siç deklaroi pas takimit diplomati amerikan, kriza politike ka disa aspekte, kurse njëri prej tyre është përmbajtja e incizimeve që janë emetuar dhe që flasin për korrupsion të mundshëm në pushtet, ndikim të mundshëm të pushtetit ndaj mediumeve, ndaj jurisprudencës, për keqpërdorime të mundshme zgjedhore dhe lloje të tjera të keqpërdorimeve të pushtetit, njofton portali Zhurnal.

“U bëjmë thirrje Qeverisë dhe institucioneve të saj që t’i marrin parasysh seriozisht të gjitha akuzat dhe insinuatat për sjellje të mundshme joligjore njëjtën sikur këtë e bën lidhur me akuzat e dorëzuara kundër liderit të opozitës Zaev. SHBA-të mbesin mbështetës i fuqishëm i integrimeve euroatlantike të Maqedonisë. Ky mbetet qëllimi ynë. Ardhmëria e Maqedonisë në institucionet euroatlantike është mbështetur jo vetëm nga SHBA-të, por edhe nga shumica e madhe e qytetarëve të Maqedonisë, por edhe nga aleatët evropianë. Për këtë arsye i bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë që të punojë së bashku me partnerët për tejkalim të krizës dhe ta riafirmojë përkushtimin e saj në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s dhe vlerat mbi të cilat këto institucione janë themeluar – standardet më të larta të qeverisjes të së drejtës, transparencë, drejtësi, liri e shprehjes dhe pavarësi e gjyqësorit, të cilat janë themel i bashkësisë euroatlantike”, porositi Ji.

Zëvendës/ndihmëssekretari amerikan sot u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, pastaj me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa nesër do të takohet edhe kreun e opozitës, Zoran Zaev.