Dhunë dhe dashuri, burrë e grua dënohen nga gjykata

Dhuna në familje, përveç rasteve të shumta që ka regjistruar, po shënon edhe forma të ndryshme të shfaqjes së saj.

Lajme

26/04/2017 21:48

Sikur të mos mjaftonin rastet kur burrat dhunojnë gratë, apo edhe anasjelltas, kohët e fundit janë shënuar edhe raste kur dhuna kryhet në mënyrë reciproke ndaj bashkëshortëve.

E tillë është historia e Saimir Ndroqit dhe bashkëshortes së tij nga Tirana, të cilët akuzuan njëri-tjetrin për dhunë në familje. Madje, ata i qëndruan fortë akuzave deri në gjykatë, e cila në të njëjtin proces i ka dënuar të dy bashkëshortët për dhunën e ushtruar ndaj njëri-tjetrit. Gjatë procesit ata e kanë justifikuar në këtë mënyrë dhunën.

“Ai nuk mund të flinte. Saimiri është ngritur dhe ka filluar të më godasë me grushte duke më dëmtuar në krahë dhe këmbën e majtë. Kam bërtitur për ndihmë dhe në dhomë ka hyrë nëna ime për të më ndihmuar”, ka thënë bashkëshortja.

“Bashkëshortja ishte shkaktare e grindjes pasi erdhi vonë në shtëpi dhe i kërkova llogari se ku kishte qenë. Ajo më kërkoi të dilja jashtë nga shtëpia. Ajo vinte era alkool dhe më ka çjerrë me thonj ditën e ngjarjes, ajo ka kohë që konsumon alkool dhe bëhet shumë agresive”, ka thënë Saimir Ndroqi.

Ndonëse të dy bashkëshortët shfaqën pendesë dhe normalizuan marrëdhënien e tyre gjatë procesit gjyqësor, gjykata ka nënvizuar si pozitë rënduese ndaj tyre, faktin që dhuna reciproke ishte kryer në sy të fëmijës katër vjeç. Për këtë arsye, bashkëshorti u dënua me dy vjet shërbim prove, ndërsa bashkëshortja me 100 orë punë në interes publik./TCH