Dështon takimi i BE-së për refugjatët nga Lindja e Mesme e Ballkani

Ka dështuar raundi i dytë i bisedimeve të ministrave të Brendshëm të BE-së për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për fatin e mijëra emigrantëve nga Lindja e Mesme, por edhe për azilkërkuesit nga Ballkani

Bota

21/07/2015 13:48

Objektivi ishte të shpërndaheshin në vendet e bllokut europian 40 mijë refugjatë të mbërritur në Greqi e Itali, si dhe 20 mijë të tjerë nga kampet në Afrikën veriore.

Por në këtë takim u premtua vetëm zhvendosja e 32 mijë personave, më pak nga sa u kërkua nga krerët evropian.

“Reuters” shkruan se kur vjen puna tek politika e refugjatëve, në Europë merr fund solidariteti.

Komisioneri i BE-së për Refugjatët, Dimitris Avramopolous tha se bisedimet ishin shumë të vështira. I zhgënjyer, ai e pranoi se vullnetarizmi nuk funksionon.

Komisioni Europian kishte propozuar fillimisht një kuotë fikse për secilin vend, por kjo u refuzua nga shtetet anëtare. As ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, një politikan me shumë përvojë, nuk ia doli t’u merrte më shumë premtime kolegëve europianë.

“Disa shifra ishin zhgënjyese, të tjera për të ardhur turp”, tha ai duke iu referuar kështu atyre që bllokuan përpjekjet e sistemimit të klandestinëve.

Nuk ishte vetëm Britania dhe Danimarka që zgjodhën të distancohen, por edhe Hungaria dhe Austria deklaruan se janë boll të rënduara me këtë problem dhe thanë se nuk duan të marrin pjesë në programin e rishpërndarjes.

Shumë larg limiteve të vendosura janë edhe Bullgaria, Spanja dhe Portugalia, ndërsa Gjermania i qëndroi premtimeve me pranimin e mbi 12 mijë refugjatëve.

Në fund të vitit këshilli i ministrave të Brendshëm do të mblidhet sërish për të gjetur vendet për 8.000 refugjatë që ndodhen në Europën Jugore./Shekulli/