Vandalizohet ‘Parku i Lirisë’ në Ferizaj

Parku i Lirisë, një hapësirë e gjelbëruar dhe e vendosur në pjesën perëndimore të qytetit të vetëm pak kilometra në dalje të Ferizajt për në Shtime, përbën vendin më atraktiv për personat që vrapimin dhe pushimin e kanë pasion. Gjatë vitit kjo zonë vizitohet shumë jo vetëm nga qytetarët e Ferizajtpor edhe nga vendet tjera të Kosovës.

Lajme

04/04/2015 15:07

Siç duket kjo po i pengon dikujt, një ditë më parë persona të papërgjegjshëm kanë dëmtuar një pjesë të infrastrukturës përcjellëse të këtij parku. Të indinjuar me këtë sjellje vandale kanë qenë institucionet lokale dhe qytetarët, ndërsa mësohet se policia është duke punuar në kapjen e akterëve të këtij vandalizmi.

Drejtoresha e Drejtorisë për Shërbime Publike, Mimoza Fazliu, ka thënë për KosovaPress se lidhur me këtë rast komuna e Ferizajt ka formuar një komision për ta vlerësuar gjendjen e dëmit në zonën e parkut. Sipas saj, bazuar në raportin e këtij komisioni dëme kanë pësuar ulëset dhe ndriçimi i parkut.

“Shuma e dëmit është vlerësuar të jetë 3000 euro, ndërsa në bazë të asaj që është vërejtur janë dëmtuar 4 ulëse, dy shtylla të ndriçimit janë nxjerrë tërësisht, si dhe janë dëmtuar 40 mekanizma për vendosjen e poqave elektrik”, ka thënë drejtoresha Fazliu.

Këtë zonë e frekuentojnë shumë qytetarët e Ferizajt, sidomos ata që ecjen dhe vrapimine kanë pasion. Njëri ndër ta është edhe Ymer Krasniqi rreth të 50-tave, i cili nuk po mund të besoj se në këtë kohë ka njerëz që bëjnë akte vandale në një zonë e cila paraqet mushkëritë e qytetit.

“Pothuaj çdo ditë dal këtu dhe eci rregullisht. Është kënaqësi e madhe kur në orët e hershme të mëngjesit shehatë numër të njerëzve që e shfrytëzojnë këtë park. Turp për ata që kanë bërë këso akte vandale. Institucionet duhet të kujdesen për këtë zonë të cilën e kanë krijuar me mund të madh”, thotë Ymeri.

Në anën tjetër ,edhe policia e Ferizajt e ka konfirmuar rastin duke thënë se bëhet fjalë për dëmtimin e pronës publike në hapësirat e parkut. Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka thënë se lidhur me rastin deri më tani nuk është ndaluar asnjë person, ndërsa sipas tij njësiti i hetuesisë është duke u marr me rastin.

Nisur nga kjo, është koha e fundit që institucionet e pushtetit të mendojnë për vendosjen e rojave fizike në këtë zonë apo kamerave vëzhguese. Këtë opsion nuk e ka përjashtuar edhe drejtoresha e DSHP, Mimoza Fazliu, duke thënë se këtë pasuri duhet ruajtur me çdo kusht nga keqbërësit ngase kjo zonë me interes e meriton.

Ndryshe, pushtetet lokale të Ferizajt prej pas luftës ka investuar bukur mirë në këtë hapësirë rekreative duke i dhënë një pamje të admirueshme. Së fundi në kuadër të projekteve ambientale kjo zonë po zgjerohet dhe së bashku me koridoret e gjelbërta përbën pjesën më të mirë të Ferizajt.

(KosovaPress)