“Demokracia vdiq!”, Venezuela: OKB po gënjen

Ministri i Jashtëm i Venezuelës akuzoi zyrën e Komisionerit të OKB-së për të drejtat e njeriut se gënjen. Jorge Arreaza reagoi kështu ndaj fjalimit të shefit të kësaj zyre, Zeid Raad Al Hussein, i cili paralajmëroi për krime të mundshme kundër njerëzimit në Venezuelë.

Bota

12/09/2017 10:27

Përfaqësuesi i OKB-së tha se ka shumë mundësi që tensioni në Venezuelë të përshkallëzohet, ndërsa paralajmëroi se demokracia atje thuajse nuk ekziston më. Sipas Al hussein, qeveria e Venezuelës ka shkatërruar institucionet demokratike dhe ka shtypur zërat kritikë, përmes arrestimit të liderëve të opozitës, ndalimeve arbitrare, përdorimit të tepruar të forcës dhe keqtrajtimit të të burgosurve që në disa raste janë torturuar.

Më shumë se 120 njerëz janë vrarë në Venezuelë qëkur nisi vala më e fundit e protestave antiqeveritare më 1 prill. Regjimi i Presidentit Nikolas Maduro prej kohësh akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut nga shumë vende, por ky ishte reagimi i parë zyrtar i OKB-së.

Por, kendvështrimi i qeverisë së Venezuelës, edhe në këtë rast është i ndryshëm, pasi ministri Arreaza tha se akuzat nuk kanë bazë dhe kërkoi që komisioneri i OKB-së të ndalojë agresionin ndaj vendit të tij. Arreaza tha se raporti i OKB është i mbushur me gënjeshtra dhe është një sulm i qartë ndaj Venezuelës.

Situata në këtë vend është tejet e vështirë për shkak të mungesës së theksuar të ilaçeve, ushqimit dhe mallërave bazë, diçka që detyroi edhe Papën Françesku t’i bëjë apel OKB-së për ndihmë. Madje kreu i Vatikanit tha se nuk e kupton çfarë po bën Presidenti Maduro, ndërsa kriza humanitare në vend është problemi më i madh. /TopChannel/