Dëmet e imazhit të Kosovës

Për të mbërritur këtu ku jemi, është dashtë goxha mund nga të gjitha palët e mundshme, sepse ndryshe nuk do të kishim një shpërthim të këtillë në sheshet e Prishtinës, dhe një ikje të kësisoj nga Kosova.

Opinion

12/02/2015 13:43

Po dëmtohet imazhi i Kosovës. Po dukemi keq pra. Para vetes dhe para Botës.
Është kjo njëra prej faturave të dëmtimit të Kosovës që po ndodhë javëve të fundit.
Kështu po thonë të gjithë: Edhe Qeveria, edhe opozita, edhe qytetarët e thjeshtë.

Dy pamje janë të ndërlidhura këtu, në mbërritjen tek ky përfundim. Ajo e para, përcjell tabllot e përleshjes midis policëve dhe protestuesve, që ka ndodhë në rrugët e Prishtinës, me 27 janar. Ajo e dyta, lidhet ma xhirimet e autobusëve, të cilët deri para pak ditësh, me plotë shqiptarë të Kosovës, shkonin në Serbi, ku prej andej, udhëtarët e tyre gjenin rrugë për të dalë ilegalisht në Hungari dhe në Evropë.

Gjërat që duken pra. Që nuk të lënë pa reaguar. Që janë të mbushura me emocione. Nuk është njësoj këtu, në shpjegim të këtyre dukurive, si kur flitet në përgjithësi për rend dhe për ligj, për krim dhe për korrupsion, për mënyrën se si funksionon shteti.

Këtu gjithçka shihet. Dhe në fillim, një shtet, një shoqëri, në këto raste, kur një fenomen merr trajtën fare të dukshme, të prekshme, të matshme, duhet të bëj gjithçka, për tu marrë me këtë dimensionin që ka dalë në shesh, e pastaj, edhe me shkaqet e kësaj dukurie, për të mbërritur sa më parë që është e mundur tek masat që duhet ndërmarrë për ta trajtuar dhe për ta ndreçur një zhvillim politik, ekonomik, social, që shpërtheu në sipërfaqe në këtë mënyrën më të dhimbshme.

Këto pamjet e mbrama flasin keq për Kosovën. Mund këtu të shkëmbehen akuza sa të duash, në të gjitha adresat e mundshme politike, por për të mbërri këtu ku jemi, është dashtë goxha mund dhe përpjekje nga të gjitha palët e mundshme, sepse ndryshe nuk do të kishim një shpërthim të kësisoj të urrejtjes politike në sheshet e Prishtinës, dhe një ikje të këtyre përmasave nga Kosova.

E tëra për shumëkënd po i përngjet një katastrofe natyrore, një tërmeti të madh. Mund të jetë. Natyrisht, në një shtet që funksionon si duhet, së pari, reagimi ndaj kësaj sprove shfaqë një organizim goxha të mirë, që me sukses ia del të përballet me pasojat e një katastrofe natyrore. Së dyti, në atë shtet, ndërtimi bëhet ashtu siç duhet, pra, në respektim të parametrave që parashohin edhe dridhje të mëdha të tokës, prandaj, në parim, dëmet janë më të vogla.

Tërmeti dhe goditjet e natyrës nuk mund të ndalen. Kurrë. Mësa pakënaqësitë politike dhe sociale, në një shtet dhe shoqëri demokratike.

Në rastin e Kosovës, siç po kuptohet dhe po shihet (çka është më e keqja), gjithnjë e më shumë, as nuk kemi bërë si duhet ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit, as nuk po dimë si të trajtojmë dy sprovat e mëdha, të cilat kanë dalë në shesh.

Ndërtimi i shtetit dhe i demokracisë, së paku në një element, është si tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore. As këto ndërmarrje, nuk ndalen kurrë, apo, nuk arrijnë asnjëherë një stad kur mund të thuhet që puna është kryer. Por një shtet ka qëndrueshmërinë e tij, sikur organizmi i një njeriu, atëherë kur ka të forcuar imunitetin e tij në përballjen me problemet e vazhdueshme që janë ‘sëmundje’ të pashmangashme në jetën e një shoqërie.

Në shembullin e Kosovës, po shihet që jemi larg sigurimit të këtij imuniteti, dhe mbërritjes tek një qëndrueshmëri afatgjatë. Dhe dëmtimi këtu po na vjen prej të gjitha anëve. Më së shumti, për fatin tonë të keq, prej vetvetes, prej mentalitetit tonë politik (dhe jo vetëm politik), të trashëguar nga e kaluara. Në shumë aspekte, ne jemi ende robër të këtij mentaliteti. Ai në flet me mosdurim, me mllef, me urrejtje, përditë, kudo në Kosovë.

Imazhi i vendit prandaj, në masë të madhe është reflektim i gjendjes reale në vend.

U pata thënë, ju kujtohet kur Rita Ora xhiroi spotin e saj udhëve të Prishtinës, që ajo bëri më shumë për Kosovën, për dukjen e saj në Botë, sesa e gjithë politika e Kosovës.

Ia vlen ta shikoni edhe një herë këtë spot. Jo vetëm nëse dëshironi sërish t’i ktheheni një ngjarjeje që na bëri të gjithëve të ndihemi mirë, por edhe nëse ju ka marrë malli t’i shihni flamujt e shtetit të Kosovës, udhëve të Prishtinës. Ata më nuk gjinden askund në kryeqytetin e Kosovës.

Kaq për imazhin. Dhe kaq për shtetin e Kosovës.