Dëgjojeni Presidenten!

Sot, ani se thoni që nuk keni nevojë, secili prej jush do ta dëshironte një zarf të atillë prej tij, por “ai” u dërgoi vetëm “përshëndetje”, përmes saj. E në mungesë të “zarfit” nga “Vëllai i Madh”, në fund të këtij teksti, unë kam shkruar një “recommande” për secilin nga ju, për të mirën tuaj, tonën dhe të Kosovës.

Opinion

01/10/2014 13:09

E di, dikur e përqeshnit se doli nga “zarfi” që ua dërgoi “Vëllai (Ynë) i Madh” përtej oqeanit. Asokohe “ai” u solli përpara aktit të kryer, pa ua dhënë mundësinë të bëni kurrfarë pazaresh. Sot, ani se thoni që nuk keni nevojë, secili prej jush do ta dëshironte një zarf të atillë prej tij, por “ai” u dërgoi vetëm “përshëndetje”, përmes saj.

Atëherë kritikuat “zarfin”, por na bindët, sidomos këta pesë muaj, se ishte i nevojshëm, për të mos thënë i domosdoshëm. Asokohe bëhej fjalë për Postin e Presidentit, për institucionin që sipas sistemit tonë politik ka kompetenca të kufizuara, por është garantuesi më i mirë i Kushtetutës, simbol që përfaqëson unitetin kombëtar, e që duhet respektuar nga të gjithë.

Atëherë, Shtetet e Bashkuara, që më lart iu referuam si “Vëllai i Madh”, duke ia dashur të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj, “dërguan” një (zarf) “recommand”, brenda të cilit kishte vetëm një emër – “Her Excellency Madam Atifete Jahjaga”. Dhe u bindën të gjithë, pa diskutim! Sa keq!? As unë nuk do të doja të bëhej tamam ashtu përzgjedhja, porse kur i kujtoj këta pesë muajt e fundit, inatet mbi parimet, atëherë duhet thënë se ishim me fat. Thank You, Big Brother! 

Sepse, duke e njohur mirë egon e secilit prej liderëve politikë në Kosovë, rrezikun që të mos ndodhë ajo që aktualisht tani po ndodh që prej zgjedhjeve të qershorit të këtij viti, asokohe “zarfi” që erdhi me një emër të panjohur për opinionin, ishte i domosdoshëm për të pasur sot një institucion ç’fare e kemi, “kukull” të asnjërit prej liderëve, dhe po ashtu u dha leksion atyre që kujtuan se janë të pazëvendësueshëm, duke dëshmuar se brenda kësaj shoqërisë sonë të vogël, ka njerëz që mund ta përfaqësojnë edhe më mirë dhe me më dinjitet shtetin e Kosovës.

Këtë që po e them, dikush mund ta merr edhe për lavd, por duke pasur parasysh veprimtarinë e saj, zhvillimet në politikën tonë, të kësaj që kemi, të brendshmes e të jashtmes, dhe përkundër atyre “gafave” të ekzagjeruara nga mediat, që në fakt ishin lëshime të paqëllimshme dhe njerëzore, Atifete Jahjaga është një nga ato figurat tona publike që me institucionin që e udhëheq, këto tri vjet veçse e ka nderuar Kosovën.

Tashti çudi-bërje mos prisni, sepse Ajo është e Jona dhe Ne jemi të Saj. 

Me kompetencat e kufizuara që ka, bazuar në Kushtetutë, vazhdimisht ia ka bërë me dije opinionit gjendjen në Kosovë, duke kërkuar publikisht nga institucionet përgjegjëse që të punojnë për sundimin e ligjit, të luftojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe ekstremizmin fetar. Ka dëshmuar se është një shqiptare që respekton të kaluarën e saj për të ndërtuar të tashmen e Kosovës, dhe se është një evropiane e përkushtuar për të mirën e shtetit të saj dhe më gjerë.

Apo nuk na duket e tillë?! E po, çmimi që ajo mori javën e kaluar në Neë York nga “Clinton Global Initiative” për “Lidership”, nuk ishte çmim i turli organizate joqeveritare të themeluar në vendin tonë vetëm sa për të thithur fonde e shpërla para, të cilat po “zbulohen” këtyre ditëve, por ishte vlerësim nga një familje e organizatë me ndikim dhe reputacion në arenën ndërkombëtare.       

Prandaj, në vend të “zarfit” nga “Vëllai i Madh” për liderët e partive politike në Kosovë, kësaj radhe është fjala e saj. Sot “ai” kërkon nga ne të mos (për)qeshim kur nuk duhet (për)qeshur, të punojmë kur duhet punuar, dhe të mësohemi të funksionojmë bashkë dhe të pavarur prej të tjerëve.
Pra, “zarf” nuk ka për asnjërin. Nuk dërgohet aq lehtë, as kujtdo! Por, dëgjojeni Presidenten!

P.S. (“Zarfi”)

Nëse doni të dini “zarfin” tim se si do të dëshiroja të zgjidhej ngërçi politik, po ua tregoj përmbajtjen. Është pa ngjyrime partiake dhe për të mirën e Kosovës.

Në pamundësi për të ndryshuar skenën politike të Kosovës dhe për të mirën e saj, kam medituar me vetveten se tashti do të ishte mirë që Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj të formojnë koalicion qeveritar, dhe pas këtij mandati, të plotë a të përgjysmuar, të përshëndeteshin me politikën. E me shkuarjen e tyre, të fillojë edhe reformimi i PDK-së dhe AAK-së, deri tek mundësia e shkrirjes në një të vetme.

Isa Mustafa, kam menduar se duhet tërhequr nga politika, tu jep shembull brezave të rinj me vendimin e tij, si profesor që është, dhe t’i jep mundësi partisë së tij të reformohet që tani, përpara se të pësojë një tjetër dramë sikurse ajo që mbahet mend, ajo e vitit 2006. Sepse, në opozitë, e papreokupuar me qeverisje, LDK do të kishte mundësi për rimëkëmbje. 

Ndërsa Albin Kurti, preferoj të mbetet edhe kësaj radhe aty ku ishte deri më tani, në opozitë, për t’i dhënë një shans edhe Lëvizjes Vetëvendosjes që ndoshta të kryesojë koalicionin e ardhshëm qeverisës, ndoshta me LDK-në, varësisht nga qeverisja e me Prishtinën.