Deda akuzon pushtetin se po nxitë konflikt ndër-shqiptar, reagojnë Beqiri e Hoxhaj

Deputeti i vetëm i partive opozitare, përkatësisht Lëvizjes Vetëvendosje, që qëndroi në Kuvend, Ilir Deda, u ka thënë deputetëve të partive në pushtet se po e mbajnë përgjegjësinë për tejkalimin e situatës politike.

Lajme

19/02/2016 15:26

Ai në fjalimin e mbajtur në vazhdimin e tretë të kësaj seance, pa deputetët e Opozitës, tha se vendi po shkon në një gjendje të konfliktit mes shqiptarëve.

“Nuk e respektoj rendin e ditës, unë kam ardhur këtu për t’iu drejtuar juve deputet të nderuar”.

“Ne sot kemi hy sot në fazën më të rrezikshme me gjysmën e deputetëve jashtë dhe gjysmën brenda. A e din ku do të na dërgojë kjo rrugë dhe kjo qasje”.

“Kosova do të përfundojë keq, askush nuk do të arrijë të na rregullojë këtë situatë përderisa do të qëndrojmë të barrikaduar kështu ndaj njëri tjetri. Nëse do të na ndodhë të na shkaktohet një viktimë. Më së shumti ju do të jeni përgjegjës për këto situata, pasi jeni shumicë”.

“As ju zëvendëskryeministër nuk duhet me inat të silleni, pasi jeni tu e përçarë popullin me deklaratat tuaja. Secili e kemi përgjegjësinë e njëjtë. Kultura e mos komunikimit publik është kulturë primitive. Ne do t’i bimë pishman më vonë për ato çfarë ka ndodhur. Jemi të zgjedhur indivualisht dhe kemi përgjegjësi individuale”.

“Mos hyni në konfliktin ndër-shqiptar me armë, duhet t’i zgjidhim këto probleme. Mos të jetë vonë nesër”, ka thënë Deda.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili e ka akuzuar Dedën se po u shet moral. Ai i ka kërkuar deputetit të Vetëvendosjes që këto gjëra t’ia thotë bashkëpartiakëve të vet.

“Deda i ka thënë të gjitha mirë, por është dashur t’i thotë partisë që i takon. Ne jemi për dialog në Kuvend, por pa gaz lotsjellës”, ka thënë Beqiri.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka kërkuar Dedës që t’i ftojë të gjithë deputetët e Opozitës, që të njëjtin moral të vijnë ta bëjnë në Kuvend përmes dialogut.

“Pas hedhjes së gazit lotsjellës, vijnë e na shesin moral. Por unë jam edhe pro këtij morali, nëse të gjithë vijnë e debatojnë në Kuvend”, ka thënë Hoxhaj./lajmi.net