Dëbora që nuk na gëzoi! (Foto)

Reshjet e dëborës të rëna gjatë natës kanë mbuluar pjesën më të madhe të vendit.

Lajme

23/10/2014 10:46

Borë ka rënë edhe në kryeqytet, por reshje më të mëdha ka pasur në viset malore.

Të gjitha rrugët janë të kalueshme, por nga shoferët kërkohet të kenë me vete të gjitha pajisjet dimërore.

Sipas faqes meteorologjike “accuweather”, temperaturat gjatë natës në Prishtinë kanë rënë deri në -2 gradë celsius, por ngritja e tyre pritet të ndodh gjatë fundjavës.

Nga e diela dhe java që vjen pritet që temperaturat në pjesën më të madhe të Kosovës të jenë mbi 0 gradë celsius.

Përveç fëmijëve, dëborës së parë në kryeqytet pak kush i është gëzuar nga frika e ndërprerjes së energjisë elektrike, mungesës së ngrohjeve qendrore dhe mungesës së druve.  

“Termokosi”, sezoni i të cilit sipas kalendarit fillon më 15 tetor nuk është ndezur ende, për shkak të vonesës në realizimin e projektit për përmirësimin e cilësisë së ngrohjes përmes avullit të termocentraleve të Kastriotit.

Kjo kompani, si pasojë e keqmenaxhimit që nga paslufta, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës qindra mijëra euro humbje për çdo vit, për shkak të mos-shërbimit ose shërbimit të dobët me ngrohje, si dhe vështirësive që vazhdon të ketë për të inkasuar të ardhurat nga qytetarët.

Mungesa e ngrohjes rrezikon edhe furnizimin e rregullt me energji, pasi shfrytëzimi i saj shumëfishohet, ashtu sikurse shumëfishohet edhe fatura të cilën duhet paguar në fund të muajit.