Daçiq: Kosovën mund ta njohin shtete si Qipro, por jo Spanja

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se Spanja nuk do të ndryshojë qëndrimin lidhur me njohjen e Kosovës. 

Lajme

03/10/2014 17:09

Daçiq me këtë ka kundërshtuar deklaratën e komisonerit Johan Hahn i cili kishte thënë se do të bisedojë nga vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që mos të krijojnë pengesa në rrugën e integrimit.

Në një prononcim për mediat serbe, Daçiq ka thënë se rasti i pavarësisë së Kosovës ka krijuar probleme edhe te disa shtete tjera europiane e botërore, ku rajone të ndryshme po kërkojnë ta bëjnë të njëjtën gjë. 

“Hahn nuk do t’i frikësojë ato pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. Këto shtete kanë mjaftë probleme të veta, ndërsa në anën tjetër e gjithë Europa dhe Bota do të kenë probleme me shpalljet e njëanshme të pavarësisë. Kanë hapur Kutinë e Pandorës e cila e ka problem që të mbyllët lehtë”, transmeton lajmi.net.  

Spanja, sipas Daçiq-it, nuk do të ndryshojë qëndrimin sa i përket Kosovës, por e njëjta nuk do mund të ndodhë edhe me disa shtete të vogla, si Qipron, të cilat mund të ndikohen nga presioni i madh.