Dacic: Krimea shembull për gabimet e bëra me Kosovën

Ivica Dacic thotë se çështja e Krimes tregon se si disa shtete kanë gabuar kur e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Ai i vlerëson Rusinë dhe Ukrainën si shtete mike dhe pretë zgjidhje të krizës. Thotë që Serbia është e vogël për t’u pyetur për këtë çështje.

Lajme

08/03/2014 14:15

Si Ukraina ashtu edhe Rusia janë shtete mike për Serbinë dhe është e tragjike ajo çfarë po ndodhë atje, ka thënë Kryeministri në ikje i Serbisë Ivica Dacic, transmetojnë mediat serbe.

Dacic ka thënë se mundësia për shpallje të Pavarësisë së Krimes, tregon se si disa shtete kanë gabuar kur kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se Serbia është e vogël për t’u përzier në çështje si kriza në Ukrainë, pasi që ka probleme të veta me të cilat ballafaqohet.

“Nuk jemi të rëndësishëm që të pyetemi për qëndrimin tonë. Ne kemi probleme tona, duke filluar nga Kosova, e deri të bisedimet për anëtarësim në BE e të mos flasim për problemet ekonomike me të cilat ballafaqohemi për çdo dit”.

“Problemi në Krime tregon më se miri se si disa shtete kanë gabuar kur kanë pranuar shpalljen e njëanshme të Pavarësisë së Kosovës”.

“Si Ukraina ashtu edhe Rusia janë shtete dhe popuj miq të Serbisë dhe është tragjike ajo çfarë po ndodhë. Për këtë arsye kërkojmë të ketë stabilitet dhe të gjendet një zgjidhje politike në raportin në mes të Ukrainës dhe Rusisë”.

I pyetur se përse Serbia nuk ka një politikë të jashtme të definuar dhe si do të ishte ajo pa 10 apo 20 vjetëve, Dacic ka thënë se deri më tani kanë humbur kohë me çështje tjera, por se tashmë kanë një të ardhme të qartë.

“Kemi humbur kohë në fjalë, teori, qëndrime dhe për këtë nuk kemi krijuar një plan për të ardhmen”.

“Tash e dimë se ku dëshirojmë të shkojmë, dimë se çfarë marrëdhënie, interesa duhet të kemi me BE, Rusinë, Kinën, Amerikën. Më në fund e dimë se kush jemi dhe se çfarë duhet të bëjmë që të jemi të respektuar dhe të vlerësuar në botë. Më të fund kemi arritur të jemi të pranueshëm si shtet që ka fjalën e vet dhe me këtë edhe fuqinë e vet”.