Çmimi i naftës në Kosovë, në përputhje me tregjet në rajon

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) thotë se ka ndjekur me vëmendje dhe kujdes të shtuar lëvizjet e çmimit të naftës dhe të derivateve të saj në tregun botëror dhe përshtatjen e çmimeve vendore me këto lëvizje.

Lajme

08/01/2015 18:55

MTI vlerëson se Kosova aktualisht ka një treg të lirë dhe çmimet e derivateve përcaktohen nga konkurrenca në treg.

“Pas analizimit të tregjeve rajonale, MTI-ja ka konstatuar se përshtatja e çmimeve të naftës dhe të derivateve të saj në vendin tonë është në suaza të lëvizjeve të çmimeve në tregjet e vendeve të rajonit. Nga krahasimi i çmimeve shitëse me shumicë dhe pakicë me ato të rajonit, shihet qartazi se në Kosovë nuk ekziston mospërshtatje e çmimeve në atë nivel që do të bëjë të nevojshme ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës për të caktuar çmimin e naftës dhe të derivateve të saj në tregun e Kosovës”, thuhet në komunikatën e MTI-së.

MTI thotë se do të vazhdojë të monitorojë nga afër lëvizjet eventuale të çmimeve të naftës dhe të derivateve të saj në tregun botëror dhe rajonal dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin, në rast të mospërshtatjes së çmimeve vendore, me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror, interesit të konsumatorëve dhe eliminimit të çrregullimeve eventuale në treg.

“Për sa i përket infrastrukturës së cilësisë, MTI-ja në bashkëveprim me institucionet tjera kompetente, si Doganat, ATK-ja, Policia e Kosovës, do të punojë që në vazhdimësi të rritet niveli i kontrollit dhe të luftohet aktiviteti joformal i operatorëve të naftës dhe të derivateve të saj. MTI kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë të të gjithë aktorëve, në veçanti të konsumatorëve në luftimin e aktiviteteve të jashtëligjshme”, thuhet në komunikatë.