Çka pas PISA-s?

Tashmë, te gjithë pajtohemi se arsimi në vendin tonë është në pikën më të ultë. Ky test i PISA-s ka zënë në befasi vetëm ata që s’janë marr asnjëherë me arsimin, të tjerët gjithmonë e kanë ditur se arsimi në Kosovë është shumë larg nga ai i dëshiruari.

Opinion

16/12/2016 21:55

Cilësia e arsimit vazhdon të jetë jashtë fokusit të politikave shtetërore, në qeveri e kuvend mosbërja asgjë për të mirën e arsimit është bërë rutinë. Politikanët tanë vazhdojnë të brengosen me çështje kufinjësh derisa brenda kufinjëve po krijojmë gjenerata analfabetësh.

Vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në të shumtën e rasteve janë të gabuara, të cilat kanë bërë që gjendje e njëjtë të mbizotërojë si në shkolla fillore e të mesme ashtu edhe ne universitete. Ministri Arsim Bajrami është krenuar çdo herë me numrin e universiteteve publike e private. Kosova si vend i vogël, por me numër të madh të universiteteve pa kritere qe shumë vite po krijon kuadro vetëm me letra, këto kuadro përmes involvimit të tyre në administratë, drejtësi, arsim e shëndetësi po vazhdojnë të lënë gjenerata të tëra në errësirë.

Universitetet private (kolegjet) janë bërë kancer për arsimin në Kosovë. Aty nuk ka kritere në provim pranues, as në provime pedagogjike, nëse duam rezultatet më të mira në teste si ky i PISA-s atëherë këto universitete (kolegje) duhet të mbyllen pothuajse të gjitha. Vendim tjetër i gabuar është iniciativa për futjen në test pedagogjik të mësimdhënësve kosovarë. Mësuesit, arsimtarët dhe profesorët tanë është dashur që moti të futen në test për vlerësimin e gatishmërisë dhe përgatitjes së tyre për transmetimin e njohurive te nxënësit, sepse në të shumtën e rasteve mësimdhënia nuk është aspak në nivel.

MASHT-i ka numër të vogël të inspektorëve të arsimit parauniversitar, vëzhgimet e tyre janë simbolike dhe pa asnjë sukses, dihet se këta inspektorë nuk e kanë larguar asnjë mësimdhënës nga vendi i punës, nëse nuk ndodh largimi i atyre që nuk janë të gatshëm të ndihmojnë nxënësit në përfitimin e njohurive të reja, gjendja komë e arsimit tonë nuk do ketë fund. Qeveria duhet të krijoj mundësitë juridike dhe buxhetore për pensionimin e të gjithë mësimdhënësve mbi moshën 55 vjeçare, pensioni i të cilëve do ishte afër pagës së tyre si mësimdhënës, në këtë formë lirohen vende pune dhe ju jepet hapësirë të rinjëve që janë duke pritur për ditët e tyre.

Kosova do këtë rezultate të njëjta në PISA derisa të kemi mësimdhënie të njëjtë.

Kosova do këtë rezultate të njëjta në PISA përderisa muret e klasave në shkolla fillore të jenë ende të bardha pa ndonjë vizatim, pikturë, grafit apo fotografi që do nxiste interesimin dhe imagjinatën e nxënësve.

Kosova do këtë rezultate të njëjta në PISA derisa të mos ketë në objekte shkollore hapësira për relaks.

Kosova do këtë rezultate të njëjta në PISA derisa të digjitalizohen objektet edukativo-arsimore.

Kosova do ketë rezultate të njëjta në PISA derisa pushimet ndërmjet orëve mësimore të jenë vetëm 5 minuta, kohë e cila nuk mjafton për asgjë.

Kosova do ketë rezultate të njëjta në PISA derisa profesorët nuk bëjnë përgatitjet paraprake, nuk ngritën nga karrigia gjatë orëve mësimore e nuk flasin për zbulime e shpikje të reja në lëndët përkatëse.

Kosova do ketë rezultate të njëjta në PISA derisa lënda Informatikës të trajtohet si lëndë e dorës së dytë.

Kosova do ketë rezultate të njëjta në PISA derisa prindërit nuk shkojnë asnjëherë në shkollë.

Kosova do ketë rezultate të njëjta në PISA derisa testi arritshmërisë dhe maturës të jenë në këtë nivel.

Kosova do ketë rezultate të njëjta në PISA derisa në shkolla të pihet cigare e drogë.

Kosova do ketë rezultate të njëjta në PISA derisa në Abetare ende paraqitet gruaja duke bërë punët e shtëpisë e duke qëndisur.

Kosova do ketë rezultate të njëjta në PISA dhe nuk do arrijë asnjëherë këndelljen nga kjo situatë derisa të kemi këtë strukturë politike që udhëheq arsimin tonë.