CIA: Princi saudit e urdhëroi vrasjen e gazetarit Khashoggi

Agjencia amerikane e inteligjencës, CIA, ka ardhur në përfundim se princi saudit, Mohammed bin Salman, e ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Kjo agjenci e bëri këtë vlerësim duke u mbështetur në kontrollin që e ka princi në Arabinë Saudite, që do të thotë se vrasja nuk do të mund të urdhërohej pa miratimin e tij.

Bota

17/11/2018 09:11

Ky vlerësim është i bazuar edhe në dy komunikime shumë të rëndësishme për rastin: ndërprerja e telefonatave të princit disa ditë para vrasjes dhe telefonatae ekipit të vrasësve me një ndihmës të princit.

CIA që para disa javësh besonte se princi është përgjegjës për vrasjen e Khashoggit, por ka ngurruar që të deklarohet me ndonjë vlerësim të drejtpërdrejtë për fajin e princit në këtë vrasje. Agjencia tashmë e ka dërguar këtë raport te ligjvënësit amerikanë dhe te zyrtarët e administratës së Trumpit.

Marrja e këtij vendimi nga CIA erdhi pasi dolën në pah disa të dhëna të reja. Në këto dëshmi përfshihet edhe telefonata mes një anëtari të ekipit të vrasësve me një ndihmës të princit Mohammed, në të cilën ishin dëgjuar fjalët “tregoji shefit tënd se misioni u krye me sukses”. Ndërprerja e telefonatave të princit dëshmon se ai të paktën po mundohej të gjente mënyra për ta kthyer në Arabi Saudite gazetarin tashmë të vrarë.

Vlerësimi i CIA-s për këtë vrasje paraqet problem për presidentin Trump, i cili ka krijuar lidhje të forta me princin Mohammed dhe thoshte se ai është e ardhmja e Arabisë Saudite. Ky vlerësim pritet ta vështirësojnë punën e ligjvënësve që ta vazhdojnë hetimin e vrasjes së gazetarit dhe ta dënojnë Arabinë Saudite.

Në anën tjetër, as zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e as zyrtarët e inteligjencës nuk besojnë se rasti i vrasjes së gazetarit do ta rrëzojë nga pushteti princin Mohammed, prandaj shkëputja e marrëdhënieve me Arabinë Saudite nuk vlerësohet se është në interes të Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, ligjvënësit amerikanë po mundohen që ta shfrytëzojnë këtë rast për t’i dhënë fund luftës saudite në Jemen apo të paktën ta ndërpresin përkrahjen ushtarake amerikane për ta, shkruan “The New York Times”, transmeton Gazeta Express.