CIA ngrin mbështetjen ndaj rebelëve kundër Assadit

Ndihma ushtarake e koordinuar nga CIA për rebelët në veriperëndim të Sirisë është pezulluar që nga momenti kur ata ranë prè e një sulmi islamik gjatë muajit të kaluar. Njoftimin e japin burime nga rebelët, të cilët kanë ngritur dyshime për mbështetjen e huaj, një zhvillim kyç në luftën e tyre ndaj presidentit Bashar al-Assad.

Bota

21/02/2017 17:23

Zyrtarë të rebelëve thanë se asnjë shpjegim nuk u është dhënë për këtë zhvillim të ri gjatë këtij muaji, pas sulmit të xhihadistëve, ndonëse disa prej tyre thanë se pas kësaj ngjarjeje qëndron objektivi kryesor për të parandaluar rënien e armëve dhe të hollave në duart e militantëve xhihadistë. Megjithatë, ata thanë se ngrirja e mbështetjes nga ajri të jetë e përkohshme.

Ndalimi i asistencës, që përfshin edhe pagat, trajnimin, municionet dhe në disa raste edhe raketat antitank, është një përgjigje ndaj sulmeve të xhihadistëve dhe nuk ka të bëjë aspak me ndryshimin e administratës amerikane, nga duart e Barack Obamës në ato të Donald Trumpit në janar. Të paktën kështu shprehen dy zyrtarë amerikanë që kanë njohje mbi programin e udhëhequr nga CIA.

Ngrirja reflekton gjithashtu shqetësimet me të cilat përballen rebelët e “Ushtrisë së Lirë Siriane” (FSA) në revoltën thuajse 6-vjeçare kundër Assadit, i cili duket tashmë ushtarakisht i pamposhtur në rajonet bastione të tij në perëndim të vendit, kryesisht falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake në favor të tij nga Rusia dhe Irani.

Mbështetja, e cila kanalizohej për verifikimin e fraksioneve të FSA-së, përfshin edhe kontribute nga Turqia, Katari dhe Arabia Saudite, shtete këto që kundërshtojnë regjimin e Assadit.

CIA vet refuzoi të komentonte mbi këtë raport të ngrirjes së mbështetjes së saj. Sikurse edhe një zyrtar nga Katari, i cili u shpreh se qeveria e tij nuk ka asgjë për të thënë mbi këtë çështje. Ndërsa zyrtarët turq thanë se nuk munden të diskutojnë mbi “detajet operacionale”. Arabia Saudite, ndërkohë, mbetet në heshtje të plotë.