Bushati-Zaev: Vota pro emrit të ri, rruga e vetme drejt NATO-s e BE

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Ditmir Bushati, po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoni.

Lajme

12/09/2018 23:53

Ai ka takuar kryeministrin Zoran Zaev ndërsa gjatë takimit kanë diskutuar për referendumin në Maqedoni për emrin, që do të zhvillohet më 30 shtator, njofton Klan Kosova.

Kryediplomati shqiptar u shpreh se vota pro Marrëveshjes së Prespës, është e vetmja rrugë që shpie në NATO.

”Është detyrë historike e çdo qytetari shqiptar në Maqedoni dhe në diasporë të votojnë masivisht dhe t’i thonë PO Marrëveshjes në Referendum. Po ashtu, është mision jetik i të gjithë spektrit politik shqiptar të shfaqë unitet për të mobilizuar votën masive shqiptare më datë 30 shtator”, shkruan Top-Channel.

Bushati dhe Zaev, diskutuan edhe për ligjin për gjuhët, duke vënë theksin tek nevoja për të hyrë në fuqi.

Ata besojnë se zbatimi i duhur i tij dhe krijimi i shpejtë i mekanizmave të monitorimit siguron një qasje më të mirë dhe më të drejtë ndaj shërbimeve për shqiptarët dhe përfshirjen e tyre në qeverisjen e mirë, politikat e zhvillimit dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt Europës.

Vizita e Ministrit Bushati vijon me takime me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të spektrit politik shqiptar.