Bulliqi godet Hivzi Islamin: Ai kurrë s’ka matur territor, përveçse është marr më të vdekur!

Qeveria e Kosovës e ka zgjedhur sot në krye të Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit akademikun Hivzi Islami.

Lajme

24/01/2017 14:20

Por përzgjedhja e këtij të fundit nuk është se i ka shuar dilemat se çështja e territorit do të zgjidhet më në fund.

Kjo pasi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Shpejtim Bulliqi i cili ishte më i zëshmi sa i përket demarkacionit me Malin e Zi dhe e që i njëjti kishte publikuar harta duke pretenduar se vendi është duke humbur tokë me marrëveshjen aktuale, ka thënë se komisioni i sotëm i kryeministri Mustafa nuk do të thotë diçka të re.

Madje ai në një prononcim për lajmi.net e ka kritikuar akademikun Islami duke thënë se i njëjti asnjëherë nuk ka matur territore, përveç se është marr me të vdekur dhe të lindur.

“Nuk kam ndonjë koment  të veçantë për këtë çështje, ne kemi thënë që sa ditë që faktikisht ky nuk është komision për me zgjidh situatën por është komision për më tregu që është qajo që e ka bo komisioni shtetëror. Unë nuk e di nëse ka mat territor ndonjëherë Hivzi Islami përveç që është marr me popullsi, me të vdekur e më të lindun ai nuk ka matur ndonjëherë territor”, është shprehur Bulliqi për lajmi.net.

Bulliqi ka kërkuar që të hulumtohet rreth këtyre personave që sot Qeveria i zgjodhi si pjesë të komisionit për të  parë nëse janë marrë më çështje siç është matja e territoreve.

“Kqyrni ata njerëz, kqyrni ato ftyra, merrni  cv-në e tyre  e shikoni kur kanë matur ata territor dhe sa kanë njohuri në matjen e territoreve dhe përgjigjeni e keni të saktë

Ai është bashkëpunëtor i Isa Mustafës, s’ka çka pritet prej atij, dhe rezultati i tij është i ditur”, ka shpjeguar Bulliqi.

Qeveria kishte synim që ta formojë një komision që do të përbëhej nga përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave, të Fakultetit të Shkencave matematiko-natyrore, përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile si dhe përfaqësuesit e rajonit të Pejës ku ndodhet edhe kufiri i diskutueshëm, por që opozita nuk pranoi që të dërgojë ekspertë nga ana e tyre.

Kujtojmë se Akademik Islami, i ka quajtur Shpejtim Bulliqin dhe Florim Isufin diletantë, keqpërdorues të botimeve dhe ekspertë në thonjëza që të dytë, duke i demantuar shumë pretendime të ngritura nga ta deri më tani.

Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi kanë qenë studentë të akademik Hivzi Islamit. /Lajmi.net/