Berlusconi: Balotellin mund ta shisja për 35 milionë euro

Mario Balotelli pritej të largohej këtë verë nga Milani. Presidenti Silvio Berlusconi tregon se mund ta shiste futbollistin për 35 milionë euro, por paraqitjet e tij të zbehta në Botëror ia zbritën çmimin dukshëm.

Sport

04/07/2014 12:33

Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi zbulon se ishte shumë afër ta shiste Mario Balotellin për 35 milionë euro në një klub anglez, por që paraqitja e tij e zbehtë në Botëror, bëri që ky transferim të dështonte.

Ish futbollisti i Manchester Cityt flitej se mund të rikthehej në Premierligë, ndërsa Arsenali duket të ketë qenë klubi i interesuar për 23 vjeçarin.

Milani vendosi ta shesë futbollistin, por paraqitja e tij e zbehtë në Brazil, ia zbriti vlerën dhe kjo e brengos ish Kryeministrin italian.

“Përpos Italisë, edhe unë jam njëri prej atyre që kanë humbur në Botëror”, ka thënë Berlusconi për të përditshmen italiane, Gazzetta dello Sport.

“Isha afër ta shisja Balotellin tek një klub anglez për miliona, por pas Botërorit, kush do ta blejë tash? Isha duke e shitur për 35 milionë euro në Angli”, tregon kreu i klubit Rossoneri.

Balotelli shënoi ndaj Anglisë në fitoren 2:1 në Manaus, por dështoi ta gjente golin ndaj Uruguait e Kosta Rikës, me ç’rast Azzurri u eliminuan në fazën e grupeve.