Berisha: U luftua në borë e në shi, e nën breshërinë e plumbave e predhave të armikut

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, general lejtënant Rrahman Rama kanë marrë pjesë sot në shënimin e përvjetorit të 19-të të fillimit të Betejes së Kosharës, në Koshare.

Lajme

09/04/2018 17:25

Në një komunikatë për media thuhet se ministri Rrustem Berisha pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, krerët e shtetit, përfaqësuesit e institucioneve, veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve bëri një retrospektivë të luftës së Brigadës 138 ,,Agim Ramadani”, të përjekjeve dhe sakrificës për liri të luftëtarëve të saj.

“Jemi mbledhur këtu, sikurse çdo vit, më 9 prill për të kujtuar të rënët dhe të gjallët, të cilët me pushkë në dorë e bënë atë që gjenerata të kësaj toke e kishin pritur për gati një shekull”, ka thënë Berisha.

Ministri Berisha, duke qenë se ka komanduar gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare me këtë Brigadë, tha se luftua, nga Rrasa e Zogut, deri në Morinë, nga Bjeshkët e Padeshit, deri tek Livadhi i Shabanit e më tutje u luftua ditë për ditë, e natë për natë, në borë e në shi, e nën breshërinë e plumbave e predhave të armikut.

“Edhe sot, si ministër i FSK-së dhe gjithmonë, pavarësisht ku do të na shpie detyra, në shërbim të atdheut, une do të jem krenar që Zoti e deshi, të jem unë, në krye të kësaj beteje”, shtoi ai.

Ky manifestim, për të 19-tën herë u zhvillua në Koshare, dhe u mbajt në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Shqipes’.