Berisha: Bashën nuk e shoh si kryetar bashkie, por si kryeministër

Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi përmes një deklarate të tij se Basha nuk do të garojë për një mandat të dytë për kryetar bashkie. “Ajo që do të doja unë të shihja Lulzim Bashën, është kryeministër i vendit. ‎Unë e quaj shumë të nderuar detyrën e kryetarit të Bashkisë, por mendoj që vendi ka shumë nevojë që të ketë Lulzim Bashën kryetar të qeverisë. Ky është mendimi im”.

Lajme

23/03/2015 09:20

Ndryshe nga çdo deklaratë tjetër e mëparshme, ish-kryeministri Sali Berisha ka lënë qartazi të kuptojë se kryetari i demokratëve, Lulzim Basha e ka bërë zgjedhjen e tij në raport me garën për Tiranën. Në një intervistë për TV “Klan”, Berisha tha se Basha duhet të garojë  për postin e kryeministrit.

I pyetur nëse do të donte që ta shihte Bashën për herë të dytë si kryetar i bashkisë më të madhe të vendit, Berisha u përgjigj: “Ajo që do të doja unë të shihja Lulzim Bashën është kryeministër i vendit. ‎Unë e quaj shumë të nderuar detyrën e kryetarit të Bashkisë por mendoj që vendi ka shumë nevojë që të ketë Lulzim Bashën kryetar të qeverisë.Ky është mendimi im”.

Berisha komentoi edhe zhvillimet politike në vend duke mos ndryshuar qëndrim sa i përket çështjes Doshi. Ish-kryeministri vazhdon t’i mëshojë qëndrimit të tij se Meta duhet të japë dorëheqjen. “…Ky qëndrim i Ilir Metës ndëshkon vendin, në rrafshin e brendshëm si faktor destabilizues kryesor, por ndëshkon vendin edhe në rrafshin e jashtëm. Prokuroria e Përgjithshme, qeveria, duhet ta kenë të qartë, dhe partnerët tanë e bënë shumë të qartë këtë, se ata do vlerësojnë nga mënyra se si do zgjidhet kjo çështje.

Faturën e marrin shqiptarët, ndaj është mirë që ky hetim të jetë transparent totalisht, të ketë ekspertë ndërkombëtarë, të mos bazohet në përpunimin e dëshmitarëve. Mark Frroku është dy herë peng. Si mund të merret për bazë dëshmia e Mark Frrokut, i cili nga njëra anë ka një letër nga Belgjika për t’u paraqitur para autoriteteve gjyqësore belge, nga ana tjetër ka dokumentin që u ndalua me kryetrafikantin në makinë.

Por ky është dëshmitar kyç. Nuk është Bami kyç…”, – tha ai. Zbardhja e kësaj çështjeje, por edhe zbatimi i plotë i procesit të dekriminalizimit, sipas Berishës, janë çështje kapitale. “…Nuk ka çështje më të rëndësishme se kjo. Unë dëgjova deklarata të turpshme të eksponentëve të saj ndaj Krichbaum, kryetar i komisionit për integrimin evropiane në Bundestag, ndaj Elmar Brok, që dëshmojnë se nuk kanë asnjë interes tjetër përveç interesave personale të pasurimit të tyre.

Është jetik sot një revolucion demokratik, një  revolucion paqësor demokratike, i cili do të jetë mekanizmi i vetëm që do të nxjerrë krimin nga Parlamenti dhe krimin nga institucionet. Ka një komision, dhe ai komision do bëj ligje. Do i votojnë, mund të dalin 3-4 vetë, s’është dekriminalizimi ky. Dekriminalizimi është një proces jetik”, – tha Berisha, duke u fokusuar më pas tek propozimi i tij. “Hajde të japim tabulatet.

Edi Rama si kryeministër, Ilir Meta, dhe një grup personash, të shohim se cilat janë lidhjet me krimin, të shohim se kush ka, kush disponon telefonata dhe lidhje me botën e krimit. Nëse unë kam akuzuar kot atëherë unë para shqiptarëve duhet të marrë gjithë përgjegjësitë e mia. Absolutisht nuk flas kot, sepse kam në mënyrë të padiskutueshme të dhëna që janë të vërteta si drita e diellit. Këta kanë komunikim me bandat, kanë komunikim me Hakmarrjen për Drejtësi, me bandën e kokainës së Fushë -Kuqes, me Shullazin.

Është jashtëzakonisht e rëndë prania e vrasësve dhe trafikantëve në Parlament, por prapë nuk është vetëm ajo zgjidhja”, – tha ai. Dhe Berisha zgjidhjen më të mirë e sheh tek qytetarët, që sipas tij duhet të vendosin për një revolucion demokratik këtë pranverë, raportojnë mediat në Shqipëri.