BE thërret Ramën në takim pas deklaratave për bashkim të Kosovës me Shqipërinë

Vetëm dy javë pas deklaratës se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike nëse Bashkimi Europian vonon procesin e anëtarësimit të dy vendeve, kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Bukselit ku pritet të zhvillojë takime me krerët e institucioneve europiane.

Lajme

19/04/2015 22:12

Të martën kryeministri shqiptar do të jetë në Bruksel, vizitë e cila zhvillohet në një moment kur tonet e Tiranës janë ashpërsuar ndjeshëm ndaj politikave të zgjerimit që BE po aplikon ndaj Shqipërisë dhe Kosovës.

Rama ka kritikuar fort javët e fundit mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë me vendet e zonës Shengen, si dhe shtyrjen e hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE-në. Gjithashtu, BE ka dënuar deklaratën e Ramës për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, por kritikat e Brukselit janë pritur me indiferencë nga kryeministri shqiptar.

Rritja e shpejtë e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në pak ditë në vendet e Bashkimit Europian, pritet të jetë një çështje tjetër që do të diskutohet midis Ramës dhe zyrtarëve të Brukselit, raportojnë mediat në Tiranë.