Banale është kërkesa për dorëheqje

Ibrahim Gashi, Rektor i UP’së, e konsideron banale kërkesën për dorëheqjen e tij. Ai thotë se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje.

Lajme

24/01/2014 20:09

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, dhe një kërkesë të tillë, siç thotë, e bërë nga rreth 30 persona në një komunitet prej rreth 60 mijë studentësh, është banale.

Ai ka thënë se ka shumë shkencëtarë të mëdhenj të huaj që kanë rënë në lajthitje nga revistat virtuale.

Gashi thotë se është kontestuar revista dhe jo punimet e tij.

“Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje, sepse është banale kërkesa, dhe vjen prej një grupi të caktuar njerëzish, të cilët e kanë pasur gjithmonë derën çel nga ky menaxhment për të kontribuar në të mirën e Universitetit”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se kritikat po vijnë nga profesorë brenda UP’së, të cilëve u është dhënë hapësirë e mjaftueshme për kontribut në UP.

“Janë dy profesorë që e kanë ngritur këtë problem, dhe unë mund t’i them edhe me emër, që ata janë pjesë e forumeve. Zoti Qëndrim Gashi është pjesë e Këshillit Botues dhe është i emëruar nga unë si udhëheqës i aleancës franceze në Fakultetin Filologjik, zoti Popovci është anëtar i këshillit të shkencës dhe zoti Hajrullahu ka pasur mbështetjen time të vazhdueshme, të cilën e ka keqpërdorë skajshëm”, ka thënë Gashi në Televizionin Publik.

Gashi ka kritikuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për inicimin e diskutimit për UP’në në Parlamentin e Kosovës.

Ai ka thënë se partitë politike duhet të rrinë larg Universitetit ‘Hasan Prishtina’.

“Kërkesën e partive politike për debatin në Parlament për këtë temë, më shumë e konsideroj se do të na pengojë, nuk do të na ndihmojë. Unë ju bëjë thirrje partive politike, pa përjashtim, që të kontribuojnë që të ndihmojnë në avancimin në legjislacion, ligjin për arsimin e lartë, por mbi të gjitha statutin e Universitetit të Prishtinës, ta forcojnë autonominë e këtij institucioni përmes akteve ligjore, në mënyrë që ta evitojnë atë që ata e quajnë politizim të Universitetit”, ka thënë Gashi.

 

(Kosovapress)