Ballkani Perëndimor rikthehet në vëmendjen e Evropës

Gjendjet në vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, të caktuar për të hënën.

Lajme

03/03/2017 22:45

Është paraparë që në takim, fjalim të vet të ketë përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, e cila do t’i informojë ministrat për rezultatet nga turneu i saj i kësaj jave nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pritet që ministrat të miratojnë konkludime, të cilat do të jenë bazë për raportin për Ballkanin Perëndimor që duhet të miratohet në Samitin e BE-së të caktuar për më 9 dhe 10 mars në Bruksel.

Në kumtesën e Këshillit të BE-së në prag të takimit ministror ceket se “Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane, e cila është bazë për stabilitet, pajtim dhe ardhmëri të rajonit”.

“Pritet që ministrat ta konstatojnë angazhimin dhe fokusin e BE-së kur është në pyetje rajoni, përfshirë edhe mbajtjen e lidhjeve politike dhe ekonomike me të. Nga ai aspekt, me rëndësi kyçe është edhe zhvillimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, shtohet në kumtesë.

Sipas burimeve në Bruksel, pritet në konkludimet nga takimi ministror të ceket domosdoshmëria e vazhdimit të proceseve reformuese në rajon me qëllim që të sigurohet “përparim i papengueshëm i partnerëve nga Ballkani Perëndimor në rrugën evropiane”.