Ashton uron që Thaçi të jetë shembull frymëzimi për burrështetasit e rajonit

Baronesha Catherine Ashton, e cila javën e kaluar përfundoi mandatin e saj si Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, ka uruar që bindja dhe aftësia politike e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, të jetë shembull frymëzues edhe për burrështetasit tjerë të rajonit.

Lajme

04/11/2014 14:56

Ashton e ka bërë këtë vlerësim për kryeministrin Thaçi në një letër që ajo ia ka dërguar atij me rastin e përfundimit të mandatit si Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian.

“E shfrytëzoj këtë rast që të falënderohem për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë këtyre viteve të fundit, dhe në veçanti ndjehem krenare për atë që kemi arritur së bashku në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndihmuar nga Bashkimi Evropian”, shkruan Ashton në letrën e saj dërguar Thaçit, kopjen e së cilës e ka siguruar lajmi.net.

“Në vazhdën e takimeve tona të shumta, ne trajtuam një sërë çështjesh veçanërisht të ndjeshme dhe komplekse dhe unë gjithmonë kam vlerësuar gjykimin tuaj dhe kurajon në lidhje me marrjen e vendimeve të vështira për interesin më të mirë të Kosovës”.

“Unë besoj fuqimisht se bindja juaj politike dhe aftësi politike si burrështetas kanë vendosur një shembull frymëzues që unë shpresoj se do të merren si shembull edhe nga të tjerët në rajon”.

Baronesha Ashton në këtë letër po ashtu e ka siguruar kryeministrin se Bashkimi Evropian do të mbetet partner i Kosovës, i angazhuar për të vazhduar dhe për të arritur progres të mëtejshëm në projektet e përbashkëta.