Rreshteri shqiptar kthehet nga Afganistani pas 6 muajsh dhe befason dy djemtë e tij

Publikohen pamje emocionuese.

Lajme

25/12/2018 09:35

65 ushtarë u kthyen në atdhe, nga Afganistani, ku për 6 muaj ishin atje në mision paqeruajtës.

Lajmin e mirë e ka dhënë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes një video mjaft emocionuese. Djemtë tanë janë kthyer në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas  duke valëvitur flamurin shqiptar.

Por historia fokusohet tek rreshteri Ervin Todo.

Gjysmë viti larg familjes së tij, dy djemve dhe bashkëshortes e kanë bërë atë të mendojë gjatë për një surprizë festash për ta. Dhe ka zgjedhur të shkojë krejt papritur në vendin ku familja e tij po festonte, në një park lojërash, për t’i përqafuar dhe thënë se më në fund do t’i bashkohet tryezës së festave, këtu në atdhe, dhe pranë tyre.

“Në ditë të bekuara si kjo e sotmja, gjithkush mezi pret të kthehet në shtëpi e të përqafojë familjen. 

Rreshter Ervin Todo, bashkë me 65 djemtë tanë me mision në Afganistan, pas 6 muajsh mungese dhe në përfundim të misionit të tyre, sot po i bashkohet tryezës së festave. Rreshter Todo nga Batalioni i tretë i Këmbësorisë në Poshnje, surprizoi dy djemtë e tij, bashkëshorten dhe familjen e tij të madhe, duke na emocionuar të gjithëve.

Krishtlindje të bardha për të gjitha familjet shqiptare!”, uron ministrja e Mbrojtjes, teksa ka shpërndarë videon në profilin e saj në Facebook.