Arabia Saudite: “Forcat e errësirës” po e njollosin Islamin

Islami është njollosur nga ‘forcat e errësirës’ dhe Arabia Saudite duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur rininë e saj nga ekstremizmi, ka deklaruar të hënën princi i Arabisë Saudite, Muqrin bin Abdulaziz.

Bota

22/09/2014 19:22

Mbretëria e Arabisë Saudite ka rënë dakord me shtetet tjera arabe që t’i bashkëngjitet Washingtonit në luftë kundër militantëve të kalifatit islamik.

“Sot, ne myslimanët jemi të brengosur, pasi që nuk kemi bërë mjaftueshëm për të mbrojtur popullin tonë dhe rininë tonë nga ekstremizmi”, ka thënë princi Muqrin, transmeton REL.

Ai ka shtuar se disa mashtrues të këtyre grupeve ekstremiste e kanë zëvendësuar doktrinën e tolerancës me ‘terrorizëm dhe bomba’.

Zyrtarë dhe qytetarë, së bashku, duhet të tregojnë fytyrën e vërtetë të Islamit, të paraqesin të mirat e religjionit tonë, ka shtuar Muqrin.

Mbreti, Abdullah në muajin mars ka emëruar Princin Muqrin për trashëgimtar të dytë.

Mbreti saudit në shkurt të këtij viti ka vendosur dënime deri në 20 vjet burgim për të gjithë ata që i bashkëngjiten luftërave të huaja.

Por pavarësisht kësaj, në gusht, Ministria e Brendshme ka njoftuar se policia saudite ka arrestuar 8 persona në veri të vendit, të dyshuar për rekrutim të të rinjve, për t’iu bashkangjitur militantëve të IS në Irak dhe Siri.