Apostolova: Keni humbur një vit në zbatimin e ERA-s

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, ka thënë se Kosova ka humbur një vit në implementimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA). Këtë deklaratë Apostolova e ka dhënë gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë së Kosovës.

Lajme

13/06/2018 09:41

“Nëse keni lexuar me kujdes strategjinë për vendet e Ballkanit Perëndimor keni mundur ta shihni se rruga e Kosovës drejt BE-së është e shtruar nga implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Këto prioritete kanë një kohë të implementimit dhe koha e përfundimit ka qenë një vit. E dimë që këto nuk janë bërë për shkak se keni pasur procese zgjedhore dhe formimin e Qeverisë. Ju e keni humbur një vit”, ka thënë Apostolova.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që kjo të kompensohet deri në fund të vitit.

“Ne nuk dimë se kush do të jenë komisionarët e rinj. Por ju keni presidentin Junker, që është prej politikanëve kryesorë dhe keni komisionarin Hahn, që është mik shumë i mirë i Kosovës. Mos e humbni këtë mundësi”, është shprehur Apostolova.