Anija e markezit aventurier që vendosi fatin e pavarësisë së Amerikës

Edhe pse pas më shumë se 2 shekujsh, gjërat kanë ndryshuar shumë në favor të ish-pushtuesve anglezë, në Shtetet e Bashkuara është Franca që njihet si mikja më e vjetër e Amerikës.

Fun

04/07/2016 09:30

Kjo sepse nuk i harrohet kurrë fakti, që Franca është vendi i parë në botë që e njohu Amerikën e pavarur, menjëherë pasi ajo shpalli pavarësinë nga Anglia 240 vjet më parë, por edhe si kontribuuese vendimtare në kthesën e luftës, në favor të forcave që kërkonin pavarësi.

Kjo lidhje e vjetër mishërohet më së shumti në historinë e një anije luftarake, që mbërriti nga Franca përmes oqeanit Antlantik, në Shtetet e Bashkuara, 236 vjet më parë për të ndihmuar revolucionin amerikan dhe ndryshuar përfundimisht fatet e luftës, në favor të pavarsistëve.

Të gjithë historianët e revolucionit, e pranojnë se  amerikanët mund ta kishin humbur luftën që mbaroi në vitin 1783, nëse luftanija franceze Hermione nuk do të kishte kaluar Atlantikun për të ndihmuar trupat e rrethuara amerikane nga ushtria mbretërore britanike.

Historia e anijes Hermione (në foto) fillon me miqësinë ndërmjet George Washington, komandant i ushtrive amerikane dhe më vonë president, dhe Markezit de Lafayette, një aristokrat i ri francez, aventurier i njohur për kohën, i cili i ishte bashkuar vullnetarisht ushtrisë së revolucionit.

Lafayette u kthye në Francë, për të siguruar anije dhe armë në ndihmë të amerikanëve. Ai së bashku me shumë vullnetarë të tjerë, u kthye me anijen Hermion, e cila ishte e pajisur me artileri të rëndë, gjë që çoi në çarjen e rrethimit të egër, që britanikët u kishin bërë pavarsistëve.

Në përkujtim të kësaj ngjarje të madhe, anija replikë Hermione u rindërtua për 17 vjet në Francë dhe vitin që shkoi, me rastin e 239 vjetorit të pavarësisë së SHBA, udhëtoi në të gjitha ujërat si në kohën e luftës. Ndërtuesit francezë përdorën teknika të shekullit të 18-të, madje edhe topat me të cilët u pajis, u derdhën në të njëjtën fabrikë që prodhonte për anijen Hermione dhe marinën franceze në vitet 1770-të.