Ambasadori britanik takon policët e suspenduar që gjobitën vozitësin e ministrit (Foto)

Ambasadori britanik Ruairí O'Connell është takuar në qendër të Prishtinës me policët Nazmi Jahiri  dhe Enver Sejfullahu të cilët ishin suspenduar pasi kishin dënuar shoferin e ministrit pa portofol në qeverinë e Kosovës, Rasim Demiri.

Lajme

25/02/2016 17:53

Ambasadori O’Connell është parë gjatë ditës (të enjtes) në njërën nga kafiteritë e kryeqytetit teksa bisedonte me policët të cilët ishin suspenduar vitin e kaluar.

Siç raporton gazeta “Zëri”,  ambasadori O’Connell është interesuar personalisht për këtë rast. Policët Nazmi Jahiri  dhe Enver Sejfullahu po bënin punën e tyre të zakonshme kur me 13 korrik të vitit të kaluar kishin vendosur të shqiptonin një gjobë për një person që kishte parkuar keq veturën.

Por vendimi për dënimin e këtij personi doli i gabuar pasi ai ishte shoferi ministrit Rasim Demiri. Në momentin sa policët po kryenin detyrën e tyre tek vetura ishte ofruar ministri Demiri i u kishte kërkuar policëve që të mos shqiptonin dënimin, ndërkohë që u kishte thënë atyre se ai ishte ministër.

Por fakti se në atë veturë po futej një ministër nuk iu la fare përshtypje të dy policive të cilët thonë se në atë moment, vetëm po e kryenin detyrën. Vetëm pak minuta më pas ministri Rasim Demir menjëherë kishte ushtruar autoritetin e tij duke bërë kërkesë për suspendimin e policive gjë e cila kishte ndodhur menjëherë.

Masa e suspendimit ishte e menjëhershme dhe atyre iu ishin marrë armët dhe kartelat zyrtare. Në njoftimin zyrtar të Njësisë së Standardeve brenda Policisë së Kosovës ishte arsyetuar veprimi i ministrit Rasim Demiri e për më shumë në këtë dokument thuhej se të dy policët kishin bërë shkelje të rënda disiplinore dhe se për këtë po fillonin hetimet.

Rasti kishte shkuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, institucion ky që kishte konstatuar se veprimi i policëve nuk përbënë vepër penale. Në këtë dokument të IPK-së thuhet: Nuk është argumentuar me asnjë fakt se me datën 13.07.2015, në rrugën Adem Jashari në Prizren se zyrtari Enver Sejfullahu derisa në detyrë zyrtare së bashku me kolegun e tij, Nazmi Jahiri kishte treguar sjellje të pahijshme  ndaj ankuesit Rasim Demiri. Enver Sejfullahu njëri nga policët thotë se suspendimi dhe problemet që i janë krijuar nga ky rast i kanë shkaktuar atij probleme të shumta shëndetësore./lajmi.net

1

2

3

4