Ky është parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë publik parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme.

Lajme

13/01/2019 21:03

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), në vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm, i vranët dhe kohë pas kohe me diell, shkruan lajmi.net.

IHMK, thotë se në dy ditët e para të javës parashihet që të ketë vranësira të dendura dhe reshje bore, e në Dukagjin reshjet e borës do të jenë të përziera me shi.

“Nuk parashikohet të ketë reshje të intensitetit të lartë por të intensitetit të ulët deri mesatar, kryesisht të hënën por edhe ditën e marte vende-vende mund të ketë reshje lokale. Pos kësaj situate meteorologjike, mëngjeset do të jenë me ngrica dhe me kushte për mjegull, kryesisht në viset e ulëta”, thuhet në njoftimin e IHMK-së, shkruan më tutje lajmi.net.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -10 deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 4 gradë Celsius.

E mërkura paraqitet si dita më e ftohtë, ndërsa e enjte parashihet të regjistroj maksimalet e kësaj jave.

Shtypja atmosferike do të ketë luhatje duke regjistruar vlera nën kufijtë e normales, por nga e marta, sërish do të ketë ngritje mbi vlerat e normales.

Do të fryjë erë nga verilindja dhe jugperëndimi me shpejtësi 1-12m/s.

Më poshtë ju sjellim tabelën me temperaturat minimale dhe maksimale në qytetet kryesore të vendit për ditën e nesërme. /Lajmi.net/