Aktakuzë për kontrabandë me emigrantë

Pretendohet se grup i organizuar kriminal prej 9 vetash kishte kontrabanduar një numër të emigrantëve ilegalë nga Turqia dhe Siria, përmes Kosovës dhe vendeve tjera, për në Slloveni, Itali, Hungari, Austri, Gjermani .

Lajme

13/12/2013 10:06

Një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër nëntë të pandehurve për kontrabandë me emigrantë, si pjesë e një grupi të organizuar kriminal transnacional.

Në aktakuzë pretendohet se ky grup i organizuar kriminal e kishte kontrabanduar një numër të konsiderueshëm të emigrantëve ilegal nga Turqia dhe Siria, përmes Kosovës dhe vendeve tjera, për në destinacione në Slloveni, Itali, Hungari, Austri, Gjermani dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian, thuhet në një komunikatë të EULEX’it.

Të pandehurit janë arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar, si pjesë e një operacioni të përbashkët të ndërmarrë nga Departamenti kundër Krimeve të Organizuara të Policisë së Kosovës dhe Njësisë për Hetimin e Krimit të Organizuar të Policisë së EULEX’it, duke punuar si një ekip hetimor i përbashkët nën drejtimin e një prokurori ndërkombëtar të PSRK’së.

Rasti është bazuar në bashkëpunimin ndërkombëtar me autoritetet gjyqësore dhe të policive të vendeve të BE-së dhe Europolit. Aksione kundër anëtarëve të tjerë të grupit kriminal të pretenduar tashmë ishin ndërmarrë në Kosovë dhe në Bashkimin Europian, thotë EULEX.