Ahmeti flet për vonesën e sjelljes së autobusëve të rinj

Pas shumë polemikash për blerjen e 51 autobusëve të rinj për Komunën e Prishtinës, më 17 shkurt të këtij viti u lëshua në qarkullim kontingjenti i parë prej 30 sosh.

Lajme

16/09/2017 09:04

Pjesa e tretë e kontingjentit prej 21 autobusëve ishte premtuar që të vijë në Prishtinë në fund të muajit mars ose në prill të 2017-ës, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk pritet të ndodhë të paktën deri në fund të këtij muaji.

Edhe pse muaj më parë faji për mosardhje të autobusëve iu hodh bordit të Trafikut Urban, tashmë problem tjetër po del të jetë mospërfundimi i renovimit të garazheve.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një prononcim për gazetën Zëri” ka thënë se autobusët janë prodhuar dhe se në momentin që do të përfundojë renovimi i garazheve ata do të sillen në vend.

“Kjo është e përcaktuar me Ligjin për Kredinë, që është marrë nga BERZH-i. Nuk ka ndonjë paqartësi, thjesht ka disa kritere që duhet të plotësohen për t’u lëshuar pjesa e pagesës. Autobusët janë prodhuar, bile mendoj që shumë shpejt do të jenë edhe në regjion. Pra, në momentin që përfundon përfundimi i renovimit të garazheve, të cilat mendoj që do të përfundojnë për 10 ditë sipas vizitave që kemi pasur ne, pastaj vijnë edhe autobusët. Ato janë të prodhuar për Prishtinën, kështu që besoj që më shumë se 3-4 ditë nuk marrin kohë, natyrisht mandej pason zhdoganimi, regjistrimi dhe futja në qarkullim”, ka thënë Ahmeti.

Përkundër faktit që u raportua në medie se njëra prej arsyeve për vonesat e autobusëve është se Trafiku Urban nuk i ka 800 mijë euro për ta paguar TVSH-në, i pari i Prishtinës e ka mohuar kategorikisht këtë, duke thënë se një gjë e tillë nuk qëndron pasi Trafiku Urban nuk e paguan TVSH-në, por Komuna e Prishtinës.

Lexo edhe: http://lajmi.net/keqmenaxhimi-i-shpend-ahmetit-rrezikon-ardhjen-e-autobuseve-te-rinj-dokument/