Keqmenaxhimi i Shpend Ahmetit rrezikon ardhjen e autobusëve të rinj (Dokument)

21 autobusë të rinj të kontraktuar nga “Trafiku Urban” po qëndrojnë ende në parkingun e kompanisë Iveco në Çeki. Flota e autobusëve në kryeqytet nuk po kompletohet pasi ardhja e kontingjentit të fundit është kushtëzuar nga BERZH-i, me renovimin e garazheve të “Trafikut Urban. Menaxhmenti i udhëhequr nga Shpend Ahmeti ka dështuar që të bëjë planifikimet e duhura për renovimin e garazheve, ndërkohë ka edhe keqmenaxhim të kontratës pas fillimit të punëve.

Lajme

12/09/2017 17:13

Punimet në garazhe nuk u kryen edhe përkundër faktit që Komuna  e Prishtinës ia dha edhe një tender shtesë kompanisë punëkryese NN “Prishtina”, duke e shkelur ligjin e Prokurimit Publik. Kjo kompani i ka shkelur të gjitha afatet kohore për renovimin e garazheve në dy kontrata e nënshkruar nga Komuna, shkruan lajmi.net.

Megjithëkëtë, situata duket pak e dyshimtë pasi s’ka qenë as kriter në kërkesat e dosjes se tenderit dhe komuna nuk ka paraqitur dokumentin se kusht janë garazhet e “Trafikut Urban”.

Në Komunë e Prishtinës nuk kanë dashur të flasin nëse ka qenë kriter renovimi i garazheve në kontratën e nënshkruar mes palëve. Ndërkohë, kujtojmë që 30 autobusë kanë arritur muaj më parë dhe kanë qëndruar në oborrin e Ndërmarrjes gjatë gjithë kohës.

“Po, BERZH ka kushtëzuar, ka thënë se pa u rregulluar garazhet nuk do të sjell edhe 21 autobusët, në mënyrë që ata të mund ta bëjnë edhe servisimin brenda garazhes. Kompania i ka tejkaluar të gjitha afatet për kryerjen e tyre, tani po duket që po punon me një intensitet më të madh. Me rregullimin e zyrave e me të gjitha, mendoj që do të kryhen diku para vitit të ri”, tha për lajmi.net Hafir Hamiti, sekretar në Ndërmarrjen “Trafiku Urban”.

Hamiti nuk e di nëse ky kritere ka qenë i vendosur në kontratë, apo është aplikuar më pas nga BERZH. “Këtë nuk e di. Komuna e ka kontratën, ne nuk e kemi parë fare kontratën e blerjes së autobusëve. Unë, sekretar i kompanisë jam, por nuk e kam parë”, shtoi tutje ai.

Lajmi.net ka kohë që ka kërkuar nga BERZH një përgjigje lidhur me vonesat e ardhjes së autobusëve, por nuk kanë pranuar të flasin.

Ish nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu dhe drejtorit ekzekutiv të Ndërmarrjes “Trafiku Urban” kanë filluar t’u zbardhen deklaratat e pa vërteta lidhur më shtyrjen e afatit për ardhjen e autobusëve. Të dy disa herë kanë dhënë disa data për ardhjen e tyre, por, asnjëra nga to nuk i ka sjellë autobusët tashmë të paguar. Të dy, arsyetim për vonesat kishin përmendur ngrirjën e llogarive bankare të Ndërmarrjes nga ana e ish Bordit të kaluar, pastaj, ishin përmendur disa vonesa për disa pagesa tjera, por jo garzha. Afate ka vendosur edhe vetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i renovimit të garazhave

Duke parë që po i vonohen autobusët e rinj, Komuna e Prishtinës u vonua edhe në procedurat e prokurimit për renovimin e garazheve së Ndërmarrjes “Trafiku Urban”. Renovimi i garazheve nisi në dimrin e vitit 2016 dhe me të ardhur autobusët e rinj nuk patën ku të futën. Qëndruan në borë, shi dhe në diell.

Kompania N.N “Prishtina” që po bënë renovimin e garazheve ka shkelur kontratën e nënshkruar me Komunën. Përkundër kësaj, Komuna ia dha edhe një tender për disa punë, që siç thotë, dolën të pa parashikuar.

Kontrata e parë, u nënshkrua në mes palëve me datë 10.10.2016. Sipas dosjes së tenderit, afati për kryerjen e punimeve ka qenë 2 muaj (60 ditë) duke filluar nga data e nënshkrimit të kontratës.  Në garë për këtë tender kanë qenë 19 kompani. Vlera e përgjithshme e ofertës së N.N “Prishtina” ka qenë 622,496.80 euro.

Me 21 qershorë 2017, Zyra e prokurimit e Komunës së Prishtinës e ka nënshkruar kontraten e dytë në vlerën 166,245.72 euro. Afati per perfundmin e kësajë kësaj aneks kontrate ka qenë 30 ditë pune, e punimet nuk janë kryer as pas tre muajve.

Në arsyetimin e këtij tenderi, Komuna ka shënuar se “Gjate realizimit të punimeve sipas kontratës bazë është vërejtur se duhet të kryhen edhe disa punime të tjera të cilat nuk janë paraparë në kontratë dhe pa realizimin e të cilave nuk mund të realizohen as punimet nga kontrata bazë. Është vërejtur se kulmi i garazhes ka dëmtime të mëdha dhe si shkak i kësaj nuk  mund t’i përballoj reshjet. Në situatën e tillë pika nga kulmi do të dëmtonte shumë, punimet që janë të parapara në kontratë. Duke marrë për bazë se është fjala për punimet në një objekt, është teknikisht e detyrueshme që realizimi i punimeve të kulmit të negociohet me punëkryesin nga kontrata bazë”.

Prokurimi Prishtinës shkeli ligjin me kontratën e dytë

Ligji i Prokurimit Publik, lejon Autoritet kontraktuese që të lidhin edhe një kontratë shtesë më të njëjtën kompani me procedurë te prokurimit të negociuar, dhe të mund të shfrytëzohet vetëm për të mbuluar një ose më shumë kontrata për shërbime ose punë shtesë që vetëm ose së bashku kanë një vlerë që nuk është më e madhe se dhjetë për qind (10%) e vlerës së kontratës fillestare. Kontrata e dytë e Komunës e ka shkelë Ligjin e Prokurimit, pasi që tenderi i dytë kapë vlerën e rreth 25 për qind të çmimit të kontratës së parë të lidhur në mes NN “Prishtina” dhe Zyrës së Prokurimit të Prishtinës.

Neni 35 i Ligjit të Prokurimit Publik, tek “Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës”, pika 2.4 thotë se “për zbatimin ose ekzekutimin e shërbimeve ose punëve shtesë që nuk ishin përfshirë as në konceptimin fillestar të një projekti të punëve të dhënë më parë dhe as të paraqitura në kontratën përkatëse të punëve që është përmbyllur më parë, por të cilat, përmes rrethanave të paparashikuara, janë bërë të nevojshme për kryerjen e shërbimeve ose punëve të përshkruara në projektin ose kontratën e tillë. Me kusht që ky nen 35.2.4 (i) të mund të shfrytëzohet vetëm nëse (a) kontrata që i mbulon shërbimet ose punët e tilla shtesë ti ipet operatorit ekonomik që është duke i ekzekutuar shërbimet ose punët fillestare dhe (b) shërbimet ose punët e tilla shtesë, teknikisht ose ekonomikisht nuk mund të ndahen nga kontrata kryesore pa i shkaktuar dëme autorietit kontraktues apo (c) kur punët apo shërbimet e tilla, edhe pse të ndara nga ekzekutimi i kontratës origjinale, janë rreptësisht të domosdoshme për atë kompletim. Më tutje, me kusht që, ky nen 35.2.4(i) të mund të shfrytëzohet vetëm për të mbuluar një ose më shumë kontrata për shërbime ose punë shtesë që vetëm ose së bashku kanë një vlerë që nuk është më e madhe se dhjetë për qind (10%) e vlerës së kontratës fillestare”. /Lajmi.net/

Punët shtesë, sipas LPP-së

Kontrata fillestare

 

Aneks kontrata