AGK: Të mos pengohen gazetarët

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim informatën se është penguar ekipi i televizionit 21 në Obiliq.  Informatën për AGK-në e ka bërë të ditur gazetarja Fitore Ademi e cila ka thënë se ekipi I televizionit nuk është lejuar që të futet brenda ambienteve të qendrës së votimit.

Lajme

22/10/2017 15:39

“Në qendrën më të madhe të votimit në shkollën “Ibrahim Rugova” në Obiliq, ekipi i RTV21 u pengua që të percjellë procesin zgjedhor. Ne nuk e dimë nëse drejtuesit e kësaj qendre kanë ndjekur trajnimet e KQZ-së apo kanë dashur të fshehin diçka nga syri i kamerës sonë, por, kërkesa jonë për autoritetet përgjegjëse është që ta hetojnë këtë rast”, ka thënë gazetarja Ademi.

Duke iu referuar këtij rasti, AGK dënon veprimin e menaxherit, kryesuesit të kësaj qendre të votimit si dhe fjalorin përdorur ndaj kolegëve Fitore Ademi si dhe kameramanit Sahit Kokolli.

AGK kërkon nga të gjithë drejtuesit e qendrave të votimit që të mos pengojnë gazetarët në kryerjen e punë së tyre si dhe të respektojnë ligjet në fuqi.

Poashtu AGK, kërkon nga kolegët që të raportojnë çdo pengesë që ju bëhët në punën e tyre në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës si dhe në Policinë e Prokurori që janë të angazhuara në mbarëvajtjen e procesit të votimit./Lajmi.net/