A u kalua Malisheva ilegalisht në regjionin e Gjakovës?!

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë vizitës që sot i bëri Komunës së Malishevës, duke u përgjigjur në pakënaqësinë e qytetarëve të kësaj komune rreth kalimit në regjionin e Malishevës, tha se kjo ka ndodhur pa ndonjë vendim të qeverisë, dhe ka premtuar se do të merret me zgjidhjen e kësaj çështje.

Lajme

28/03/2015 17:43

Në një njoftim për media të Komunës së Malishevës, pas takimit të kryetarit Ragip Begaj me kryeministrin Isa Mustafa, thuhet se aty është biseduar për çështje të ndryshme, përfshi edhe çështjen e kalimit në regjionin e Gajkovës, ku kryeministri Mustafa, tha se “kjo çështje nuk mund të zgjidhet jashtë vullnetit të qytetarëve dhe për këtë çështje nuk ka vendim të qeverisë”.

Kryetari Begaj duke folur për këtë temë i ka thënë kryeministrit se kalimi në regjionin e Gjakovës, ka nxitur reagime të qytetarëve. Ai i ka kërkuar kryeministrit që të merret personalisht, me këtë çështje, sepse sipas tij, nuk është pyetur askush dhe nuk dëshiron që nesër qytetarët, pakënaqësinë e tyre ta shprehin përmes formave të cilat nuk do ti dëshironte askush.

Për këtë çështje, kryeministri Mustafa, ka thënë se në qeveri nuk ka asnjë vendim për kalimin e Malishevës në regjionin e Gjakovës, mirëpo disa ministri, dhe disa sektore i kanë kaluar në kompetencë të regjionit të Gjakovës.

“Për këtë, unë ju them se kjo nuk mund të bëhet jashtë vullnetit të qytetarëve dhe do të angazhohem personalisht për zgjidhjen e këtij shqetësimi të qytetarëve të Komunës së Malishevës”, ka thënë Mustafa. Komuna e Malishevës, deri para se të kalohej në regjionin e Gjakovës, i përkiste regjionit të Prizrenit. (lajmi.net)