A do ta përkrahë Presidentja u.d kryeprokurorin Hoxha në përpjekjet për të mos u shkarkuar?

Zgjedhja e Kryeprokurorit të shtetit dhe inicimi i shkarkimit të Sylë Hoxhës nga dy prokurorë të Këshillit Prokurorial janë duke u shndërruar në një “dramë” të vërtetë politike. Vetëm një ditë para mbledhjes së Këshillit Prokurorial, ku do të diskutohej edhe kërkesa për shkarkimin e Sylë Hoxhës, ky i fundit për t’u mbrojtur e pezulloi punën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KGJK), duke hedhur akuza të rënda në adresë të shumicës së anëtarëve të tij.

Lajme

16/03/2015 19:40

U.d. i kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha, vëllai i të cilit është i dënuar për korrupsion, ka bërë të ditur se gjatë ditës i ka kërkuar presidentes Jahjaga që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të sqarojë mandatin e tre anëtarëve të Këshillit, të cilët kanë iniciuar kërkesën për shkarkimin e tij. E njëjtë sikurse çështja Lumezi, e cila ka ngecur në Presidencë, u.d. i kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha si duket edhe për mosshkarkimin e tij po sheh shpresë prapë tek e para e shtetit.

Indeksonline mëson se pas incidentit që kishte ndodhur javë më parë në Këshillin Prokurorial, presidentja Jahjaga kishte ftuar në një takim të paplanifikuar më herët kryeministrin Mustafa, u.d. kryeprokurorin e shtetit, Sylë Hoxha, si dhe shefin e Policisë për të diskutuar për luftën kundër korrupsionit, i cili si takim nuk përbënte asgjë konkrete dhe ishte thjesht vetëm rutinor, sepse si duket ishte vetëm inskenim i presidentes Jahjaga për të treguar mbështetje publike për Sylë Hoxhën.

Burime brenda prokurorisë bëjnë të ditur për redaksinë e Indeksonline, se u.d. i kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha është edhe familjar i presidentes Jahjaga, informacion të cilin Indeksonline është duke e hulumtuar. Megjithatë, mbetet ende të shihet se deri ku do të shkojë e para e shtetit për t’i dalë në ndihmë Hoxhës dhe nëse do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese edhe kërkesën e tij.

Indeksonline ka kontaktuar me zëdhënësin e presidentes, Arbër Vllahiu, i cili ka thënë se gjendet në Zvicër, mirëpo edhe pas dërgimit të pyetjeve, ai nuk është përgjigjur.